Ahmeti: Marre është me vdek më shumë njerëz se nuk u bë çka duhej bërë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas rëndimit të situatës me COVID-19 në Kosovë. Marre është me vdek më shumë njerëz për shkak se nuk keni bërë dicka që e keni ditur se duhej bërë, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti ka shkruar në Facebook se qëllim i çdo shteti, që nga fillimi i pandemisë, ka qenë ngadalësimi i përhapjes së saj.

“Prej fillimit, çdo shtet vetëm një qëllim e ka pas – ngadalësimin e përhapjes në mënyrë që sistemi me pas mundësi me u përball me virusin që nuk e njeh. Në fillim, masat ishin më të rrepta derisa u kuptua pak më mirë virusi dhe deri sa sistemet shëndetësore kishin mundësi të riorganizohen dhe furnizohen për tu përball deri në hapjen e ekonomive”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti thotë se edhe tani është qëllimi i njëjtë.

Ai thotë se një pjesë të përgjegjësisë e kanë edhe qytetarët, pasi nuk po i respektojnë masat.

“Edhe sot qëllimi është i njëjtë, të ngadalësohet përhapja që mos të ketë më shumë pacientë se sa kapacitete. Pra 200 të shtrirë në QKUK është e menaxhueshme, 1200 JO. Një pjesë bazohet në përgjegjësinë e qytetarëve. Distanca dhe maskat nuk e vrasin virusin, por e ngadalësojnë përhapjen. Vdekjet do të ndodhin dhe çdo jetë është e vlefshme. Por dallon vdekja nga sëmundja nën përkujdesin e mjekut dhe me kushte, nga vdekja pse dikush nuk ka pas krevat, oksigjen e mjekë. E në atë drejtim po shkojmë”, ka shkruar kreu i Prishtinës.

Ahmeti thotë se me lehtësimin e masave, në të gjitha shtetet ka pasur shtim të rasteve me koronavirus.

“Ka dallim në mes të fazes së mbylljes dhe fazes se hapjes. Këtë mund ta shohim në krejt shtetet ku nuk është ndërru qeveria, por është hapur shoqëria. Pra, janë shtuar rastet. Mjafton të shohim Serbinë, Kroacinë, Maqedoninë e Shqipëri”, ka shkruar ai.

I pari i Prishtinës thotë se në Kosovë po mungon strategjia dhe skenarët për luftimin e koronavirusit.

Ai shton se numri i testimeve brenda ditës është i vogël.

“Ende jemi me 300 teste në ditë, ende nuk kemi profil të komplikimeve dhe ende nuk kemi studim epidemiologjik të zhvillimit të semundjes në Kosovë. Plotë gjana mund të bëhen pa u kthy masat e plota restriktive. Shtimi i numrit të infektimeve janë pasojë normale e hapjes, rrjedhimisht edhe shtimi i infektimeve të personave të rrezikuar. Rrjedhimisht edhe vdekjet nga Covidi janë shtuar”, ka shkruar Ahmeti.

“Por, numri i vogël i testeve nuk është pasojë. Mungesa e hulumtimeve ku marrin pjesë edhe institucionet private nuk është pasojë e hapjes. E të tjera, e të tjera”

“Askush nuk pret nga qeveria të jenë ekspertë të luftes ndaj covidit. Por po ashtu presim qê disa çeshtje të adresohen. Në qoftë se kjo është luftë ping pongu në mes të qeverisë e opozites (keqmenaxhimi vs, papërgjegjësia me protesta) atëherë përnime qytetarëve i mbeten vetëm maskat. Nuk është marre me kërku ndihmë qeveria, e as nënshtrim me i ndihmu dikush nga opozita”, ka shkruar mes tjerash Ahmeti.

Sipas tij “marre është me vdek më shumë njerëz për shkak se nuk keni bërë dicka që e keni ditur se duhej bërë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!