Ballina / OP./INTERVISTA / “Aderimet”, apo shndërrimi i demokracisë në cirk

“Aderimet”, apo shndërrimi i demokracisë në cirk

Dush Gashi

Nuk ka gjë që i nxjerr në dritë më shumë si jodemokratike e manipuluese partitë politike të Kosovës, se sa “aderimet”, në mënyrën siç bëhen këtu, të njerëzve të njohur në to.

Të marrësh dikë në parti, madje me bujë mediale, sado i i zoti e i afirmuar të jetë, dhe ta vësh menjëherë në pozitë drejtuese apo ta kandidosh për deputet në zgjedhje, është dëmtim i shumanshëm i demokracisë, edhe ashtu jo të konsoliduar në këtë vend.

Së pari, vetë ai person, të cilit për t’u favorizuar aq shumë e aq shpejt i nevojitet mbështetja e dikujt nga kreu i partisë në të cilën po hyn, që në start e humbë apo e kufizon shumë lirinë e veprimit të tij. Për ngritjen e hovshme të tij, ai gjithmonë duhet t’i jetë mirënjohës njeriut apo grupit i cili e ka ndihmuar, dhe kurrë nuk do të mund të ngrihet kundër tyre, qoftë edhe kur ata sillen kundër interesave të partise, kundër normave demokratike a ligjit. Me një fjalë, ai do të mbetet argat i përhershëm i tyre. Për t’ua kthyer të mirën me të mirë, ai do të duhet t’i ndihmojë ata për të mbetur në krye të partisë, duke i dëmtuar më këtë luftë joparimore pretendentët tjerë.

Nga ana tjetër, mënyra e tillë e katapultimit të dikujt do të duhej të jetë fyerje dhe e papranueshme për anëtarët tjerë të partisë, të cilët, nëse duan të ngrihen në pozita udhëheqëse, duhet të bëjnë luftë politike dhe t’i kalojnë procedurat e mundimshme demokratike. Fakti se ata heshtin para aderimeve të këtij lloji, sikur do të thotë se ata në tërësi kanë hequr dorë nga procedurat demokratike!

Për të qenë ky proces i rregullt e i pranueshëm, edhe sikur të jetë fjala për një Geroge Washington, personi i cili “aderon” do të duhej të shkojë në njësinë themelore të asaj partie, në degë a nëndegë si do të quhet, dhe në fillim të jetë i barabartë në garë me të gjithë anëtarët tjerë. Pastaj, nëse ai ka vërtet cilësi e zotësi, ngritja e tij sigurisht se do të mbështetet nga anëtarësia partiake dhe do të jetë më e shpejtë. Ky do të duhej të jetë favori i vetëm i tij.

Ndonëse demokracia as në Perëndim nuk po i përjeton ditët e saja më të mira, megjithatë të ngrihesh në një parti dhe në pozita të shtetit, duhet vepruar, siç po thonë komentuesit se ka vepruar Boris Johnson, kryeministri i ri i Britanisë së Madhe:

“Realizimin e ‘ëndrrës së tij jetësore’ e ka arritur gjatë luftës së gjatë politike, me respektim të plotë të ligjit, procedurave dhe traditës”.

Çdo mënyrë tjetër e dëmton demokracinë, duke e eleminuar garën e mbrendshme si mënyrë për ngritjen e cilësive të njerëzve e të veprimeve e me këtë edhe avancimin e vlerave. Demokracia kështu i ngjan një ndërmarrjeje cirku, e cila ka dëgjuar se në fqinjësi ka një akrobat a një kloun më të mirë, prandaj vrapojnë për ta marrë.

Për çudi, partitë tona jo që s’janë munduar ta fshehin këtë ngjashmëri, por e kanë shquar atë edhe më shumë duke marrë shpesh njerëz mu nga estrada, duke e joshur me këtë pjesën më të paarsimuar të votuesve, por duke e dmëtuar rëndë veprimtarinë politike.

Në rastet kur ndër të aderuarit është dikush nga biznesi, për t’u vënë nën mbrojtje të politikës, apo që politikanët t’i shfrytëzojnë paratë e tij, është e qartë së dëme pësojnë edhe biznesi, edhe politika.

Gjithsesi, “aderimet” e këtij lloji janë fyerje e inteligjencës së anëtarësive të partive dhe të tërë këtij populli.

Provo po ashtu

Dhemshuri përzier me turp çdo Bajram

Shkruan: Dush Gashi Nuk është vetëm ndjenja e dhemshurisë ndaj deleve të pafajshme, të cilat …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.