fbpx

Acarohen raportet Rusi – Shqipëri

Është komentuar dje deklarata e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë në përfundim të takimit të ambasadorit rus në Tiranë, Alexander Karpushin, me Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Marrëdhënieve Dypalëshe të MPJ, Sokol Gjoka, të zhvilluar më 27 prill 2015. Takimi u krye pas ngjarjeve në Maqedoni, ku Rusia reagoi duke akuzuar Shqipërinë dhe Kosovën se po lejojnë akte të tilla. Kjo solli reagimin e diplomacisë  sonë, e cila kritikoi qëndrimin e shprehur nga Rusia, madje thërriti edhe ambasadorin e Rusisë.

Por ambasada e Rusisë në Tiranë ka reaguar ndaj deklaratës së djeshme të Ministrisë dhe jep një atmosferë krejt tjetër të takimit. “E konsiderojmë të papranueshëm shtrembërimin e thelbit dhe të karakterit të bisedës së Ambasadorit rus me përfaqësuesin e MPJ-së së Shqipërisë. Toni i deklaratës zyrtare të Ministrisë nuk pasqyron aspak frymën e takimit, i cili u zhvillua në një atmosferë miqësore.

Në deklaratë nuk përmendet dialogu konstruktiv mes palëve mbi çështjet dhe perspektivat e marrëdhënieve ruso-shqiptare, të cilave iu kushtua pjesa më e madhe e bisedës. Është e rëndësishme të vihet re se qëndrimet e Rusisë dhe Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës nuk u trajtuan fare nga bashkëbiseduesit. Do t’u rekomandonim autorëve të deklaratës të njihen me kuptimin e fjalës “shantazh” dhe të shmangin në të ardhmen përdorimin e saj të papërgjegjshëm dhe jokorrekt në deklarata zyrtare të dikasterit të politikës së jashtme”, thuhet në reagimin e Ambasadës Ruse.

Çfarë ka ndodhur vërtet. Fakti është që Tirana zyrtare nuk humbet rast t’u “gërmushet” vendeve me të cilat NATO ka fërkime, për të treguar luajalitetin ndaj Aleancës, por a e ka bërë këtë edhe ballë për ballë në këtë rast? Në mos, mbetet një përsëritje e kërcënimeve të hatashme që ish kryeministri Berisha i bënte dikur nga larg presidentit iranian Ahmadinexhad./respublica

error: Content is protected !!