Arban Abrashi, LDK

Abrashi dhe LDK: Votat në Prishtinë duhet të rinumërohen

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ka kërkuar sërish rinumërimin e të gjitha votave në Prishtinë. Abrashi beson se vullneti i votuesve për kryetar të Prishtinës është manipuluar.

Abrashi ka thënë se nuk do ta pranojë rezultatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që e ka nxjerr fitues Shpend Ahmetin nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne jemi në pritje të shpalljes së rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së, megjithatë, unë dua t’iu falenderoj nga zemra të gjithë ju 41879 votues për mbështetjen tuaj, juve që besuat në vizionin dhe programin tim për Prishtinën qytet të zhvilluar. Unë dhe ju, së bashku, insistojmë që rinumërimi të ndodh sepse ky proces do të hiqte çdo dilemë dhe do të ruante besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe në rezultatin përfundimtarë të këtij procesi”, ka shkruar Arashi.

Sipas tij “rinumërimi nuk cenon të drejtën e askujt, moslejimi i tij pa një bazë të qartë ligjore përkundër dëshmive tona ndërsa, cenon të drejtën time dhe të votuesve vota e të cilëve duket se është manipuluar. Rinumërimi edhe në të kaluarën ka ndodhur në Kosovë, nga ky proces nuk ka nevojë të frikësohet askush. Prandaj në jemi duke shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore që të realizojmë rinumërimi si mekanizëm i vetëm që korrigjon dhe saktëson rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kryetar të Prishtinës”.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës po ashtu dyshon në manipulime të zgjedhjeve në Prishtinë. Kjo parti vazhdon të refuzojë rezultatin që nxori Shpend Ahmetin fitues, pa u rinumëruar votat.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ka treguar se kryesia u mblodh për të diskutuar rreth vendimit që do të marrë kjo parti pasi Gjykata Supreme refuzoi rinumërimin e votave në Prishtinë.

“Ne mendojmë se është cenuar e drejta e kandidatit tonë Abrashi për rinumërim të votave. Një e drejtë demokratike për të parë a është fitorja ashtu siç është. Nuk po mundemi të kuptojmë frikën e VV-së për rinumërimin të votave”, është shprehur anëtari i kryesisë së LDK-së.

“Neve po na habit frika e Vetëvendosjes për rinumërim, nëse do të ishin të sigurt për fitore, nuk do të kishte hezitim që vota me u rinumëru”, ka thënë Muhaxheri.

Ai tregoi se edhe nesër do të mbahet një mbledhje, ku do të shqyrtohet edhe me zyrtarë ligjorë të Lidhjes Demokratike për hapat që do të ndërmarrin.

Ndërsa, LDK-ja pret që organet shtetërore të hetojnë rreth votave me postë në Istog që, sipas kësaj partie, janë fryt i manipulimeve të mëdha nga AAK-ja.

“PZAP-i i ka me qindra argumente ku shihen se kanë votu njerëzit e vdekur në Istog”, ka thënë Muhaxheri.

Gjatë ditëve të shkuara ndërkaq aktivistët e LDK-së u kanë shpërndarë mediave edhe imazhe fotografike të fletëvotimeve të anuluara nga Vetëvendosje. Njëri nga ta është edhe ky më poshtë.

fletëvotimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.