Ballina / KOSOVA / #ZGJEDHJET2019 / A po shpërndahet sot Kuvendi i Kosovës
Kuvendi_official

A po shpërndahet sot Kuvendi i Kosovës

Sot në orë dhjetë të paradites pritet të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës gjatë së cilës deputetët besohet që do ta votojnë shpërndarjen e Kuvendit.

Para shpërndarjes, Kuvendi i Kosovës pritet të votojë një marrëveshje për fondet e Bashkimit Evropian, (IPA) vlera e të cilave është rreth 100 milionë euro.

Për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten 80 vota pro.

Kërkesën për shpërndarjen e Kuvendit deri tash e kanë bërë shumica e partive shqiptare. Kërkesa erdhi pas dorëheqjes nga posti i Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.

Dorëheqja ka ndodhur në momentin kur Haradinaj u ftua nga Tribunali special për krime të luftës , gjykatë kjo e Kosovës me seli në Hagë.

“Nuk dua të shkoj në Hagë si kryeministër i Kosovës, por dua të shkoj si qytetar i rëndomtë” kishte deklaruar me rastin e dorëheqjes Haradinaj. Gjatë dorëheqjes ai kishte deklaruar poashtu se i ka rekomanduar Presidentit Hashim Thaçi që ta shpie vendin në zgjedhje si dhe ka paralajmëruar se ai do të futet në garë.

Aktualisht nuk dihet nëse Haradinaj do të ftohet sërish në Hagë dhe a do të ndikojë kjo që ai eventualisht të tërhiqet nga gara zgjedhore,

Sido që të jetë, qeverisja dy vjeçare e Haradinajt, partia e të cilit ishte pjesë e koalicionit PAN (PDK, AAK, Nisma) , është përcjellur me skandale të shumta. Që nga muajt e parë në postin e Kryeministrit, Haradinaj është kritikuar për angazhimin e numrit jashtëzakonisht të madh të zëvendës ministrave, por edhe për pafuqinë e tij që t’i ndalë punësimet mbi baza të lidhjeve politike në dikasteret e shumta ministrore.

Ai është kritikuar po ashtu se nuk po e lufton sa duhet korrupsionin dhe se në kabinetin e tij qeveritar ka vazhduar të mbajë, madje edhe në poste ministrore, njerëz me aktakuza të ngritura mbi dyshimet për abuzim me paranë publike dhe sjellje tjera korruptive.

Në kohën e qeverisjes së Haradinajt u kaluan Ligji për Prishtinën, Ligji për pagai, Ligji për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Vendimi i tij për shqiptimin e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës ishte ndër vendimet që kanë shkaktuar reagimet më të mëdha pozitive por edhe negative në opinion. Ky vendim ka shkaktuar  edhe reagime të shumta të bashkësisë ndërkombëtare e cila disa herë ka kërkuar pezullimin e taksës, vendim ky që Serbia e shfrytëzoi si shkas që të ikë nga tryeza e bisedimeve me Kosovën.

Kuvendi sot pritet të shpërndahet gjë që do t’i mundësojë Presidentit të Kosovës të shpallë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. /infoglobi

Provo po ashtu

varferia

Kosovarët më të varfërit në rajon

Në vitin 2018-të, Kosova regjistroi produkt të brendshëm bruto mbi 6 miliardë e gjysmë, me …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.