A jemi të përgatitur për dialog me Serbinë

Takimi i delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë për bisedime në Washington është temë ditore me rëndësi të veçantë, së paku në Kosovë dhe Serbi.

Shkruan: Hysen Gecaj

Opinionet e politikanëve, analistëve politikë, por edhe qytetarëve, janë nga më të ndryshmet, varësisht nga njohuritë politike dhe pozicionimi politik. Është brengosës fakti që edhe në këto momente të rëndësishme për të ardhmen e vendit, politikanët tanë, në vend se të tregojnë unitet, ata shfrytëzojnë momentin për forcimin e pozicioneve personale politike dhe klanore, duke ndikuar negativisht drejtpërsëdrejti në dobësimin e pozitës të ekipit dialogues të Kosovës.

Është e vështirë për dialoguesit (kosovarë) që të merren më çështje të caktuara në Washington, derisa politikanë të caktuar “kërcënojnë” dhe diktojnë tema që duhet të bisedohen në Washington.Temat mund të caktohen nga nikoqiri apo lehtësuesi i dialogut, prandaj përgatitjet e temave duhet të jenë nga më të ndryshme dhe të gjithanshme gjithmonë duke pasur kujdes për interesin shtetërorë.
Kontestimi i Qeverisë Hoti në këto momente nga rivalët politikë është gabim strategjik në raport me pozicionin dialogues, i cili zor se mund t’i ndihmojë kundërshtarët e Qeverisë Hoti, por mundë të dëmtojë pozicionin dialogues me palën serbe në Washington.

Është e pavërtetë që qeveria nuk mund të ketë sukses në bisedime për shkakun se kryeministri Hoti nuk ka votën e sovranit dhe është qeveri ilegale, siç pohojnë disa, sepse është diçka legale apo jo, këtë e ka vendosur Gjykata Kushtetuese dhe vendimet e saja janë legale dhe legjitime. Derisa Kushtetuta e Kosovës e ka lejuar krijimin e një qeverie si kjo e Hotit dhe këtë e ka mbështetur Gjykata Kushtetuese dhe shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kjo qeveri është njësojë si çdo qeveri e zgjedhur me votën e qytetarit. Nëse është kështu,atëherë Qeveria Hoti ka kompetencë për ta përfaqësuar Kosovën në bisedime në Washington, ndërsa çështje tjetër është se sa kjo qeveri është e përgatitur politikisht dhe profesionalisht për dialog.

Duhet ta kuptojmë që Qeveria Hoti për SHBA, por edhe për faktorët e jashtëm ndërkombëtarë, është qeveri legjitime dhe ajo, si e tillë, do të trajtohet shumë seriozisht pa marrë parasysh që VV mund të deklarojë se fituesi i zgjedhjeve nuk është në tavolinën e dialogut prandaj, sipas tyre edhe bisedimet për këtë shkak do të dështojnë.

Nga kjo që u tha më lartë ,mund të kuptojmë se, në fakt, pengesa më e madhe në realizimin e interesave tona jemi vetë ne me obstruksionet politike, sesa problemet që mund të na dalin nga pala serbe, sepse prej tyre edhe priten pengesa. Nuk duhet harruar kohën e çmuar që humbi Kosova dhe dëmin që u shkaktua në kohën e VLAN-it në vitin 2014 për shkak të interesave të ngushta të individëve në politikë, duke u thirrur në kauza të rrejshme patriotike e politike, por, si duket, liderët politikë verbohen kur janë në pyetje interesat e tyre personale.

Tani kërkesa dhe këmbëngulja e zotit Haradinaj që ta marrë postin e Presidentit dhe kërcënimi i tij se do ta çojë vendin në zgjedhje të reja në kohë pandemie e edhe më keq, në kohë kur qeveria ka nevojë për mbështetje profesionale e politike në dialog me Serbinë, është një grusht për Kosovën ende pa u këndellë nga skandalet nga zgjedhjet e vitit të kaluar dhe rrëzimi i Qeverisë Kurti në kohë pandemie.

Kërkesat e pakuptimta të z.Haradinaj drejtuar qeverisë për transparencë në një stil të veçantë ku patjetër duhet z.Haradinaj të informohet nga dora e parë për të gjitha çështjet lidhur me dialogun me Serbinë, janë vetëm një tregues që z.Haradinaj kërkon një shkas për përfitime politike personale, ashtu siç u pa me kërkesën për pozitën e presidentit duke kërcënuar me rrëzimin e kësaj qeverie, nëse ai nuk bëhet president. Si duket z.Haradinaj është mësuar me këtë stil të politikëbërjes, duke pasur parasysh që po në të njëjtën mënyrë (me shantazh) mori edhe postin e Kryeministrit nga PDK-ja ose përndryshe vendi shkonte në një kolaps politik.

Konsideroj se sjellje të këtilla të liderëve e kanë dëmtuar Kosovën rëndë deri më tani dhe ende janë duke vazhduar. Është e nevojshme që edhe votuesi (i cili ka obligim) të mendojë se cilët janë ata liderë që punojnë në interesin e tyre dhe të shtetit. E them këtë ngase duket se këta liderë partiakë dhe shtetërorë e kanë humbur ndjenjën e të kuptuarit se deri ku duhet të shtrihen aspiratat e tyre personale në dëm të popullit dhe shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.