A do të bie tarifa një ditë ?

Data 21 nëntor të vitit 2018, do të mbahet në mend si data kurë Qeveria e Kosovës mori vendim që produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja të taksohen 100%.

Shkruan: Hysen Gecaj

Që nga kjo ditë pati polemika nëse Qeveria kishte vepruar drejtë apo jo. Secila palë nxori në pah argumentet e veta pro dhe kundër.

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ishte pro kësaj mase me arsyetimin se po i kundërvihej Serbisë për shkak të fushatës serbe në njohjet e Kosovës, pastaj arsyetimin tjetër se mbronte ekonominë e Kosovës dhe po i shkaktonte dëme ekonomike Serbisë.

Mirëpo, shpesh hasnim në kundërthëniet e deklaratave të Ramush Haradinajt sepse në raste tjera ai deklaronte se këtë e bëri që ta ndalonte ndarjen e Kosovës në “marrëveshjen” e fshehtë Thaqi-Vuciq, e cila nuk u publikua kurrë as për opinionin as për qarqe të caktuara politike.

Gjërat vazhduan kështu deri në ikjen e tij (Ramushi) pas ftesës në Gjykatën speciale ku ai deklaroi se po jep dorëheqje sepse nuk donte të shkonte si Kryeministër në gjykatë. E gjykatat nuk thërrasin institucione por individ.

Më pastaj doli (siç e tha edhe Ramushi vet) se ai u detyrua të jap dorëheqje për shkak të presionit të SHBA për heqjen e tarifës.

Të gjitha këto ishin në funksion të protagonizmit personal sikur edhe çështja e kufirit me Malin e Zi ku kundërshtohej nga Ramushi, i cili më vonë e aprovoi atë “ndryshim” në kufi me Malin e Zi. Ky sipas tij ishte rrëzimi i parë i një qeverie nga jashtë. Rrëzimi i dytë, si thonë shumë të tjerë është mocioni për votëbesim për qeverinë e Albin Kurtit, e cila edhe ishte e pritur që nga fillimi i marrjes së mandatit për krijimin e qeverisë.

Si fillim, Kurti doli fitues në zgjedhjet e vitit të kaluar jo për faktin se kishte çka të ofronte gjatë kohës së fushatës sepse premtimet ishin pak a shumë të njëjta nga të gjithë garuesit për Kryeministër por qeverisja e dobët në 20 vitet e fundit, e sidomos qeveria Haradinaj, kishin rritur pakënaqësinë e qytetarëve deri na atë masë sa që secila alternativë ishte më e mirë për ta se sa ato të provuara deri në atë kohë. Kështu, Kurti ishte në një avantazh çka edhe solli fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare 2019.

Që në ditën kur iu dha mandati për krijimin e qeverisë, mosmarrëveshjet mes partnerëve të koalicionit qeverisës ishin të pritshme. Zvarritja e krijimit të qeverisë për shkak të (mos) marrëveshjeve me LDK dhe pa pajtueshmëria në ndarjen e posteve dhe ministrive ishte tregues se edhe në këtë koalicion po bëhej garë se kush ku do të akomodonte përkrahësit e vet.

Gjatë procesit të marrëveshjeve LVV-LDK vend të veçantë zuri edhe tarifa në prodhimet e Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinë. Edhe këtu partnerëve të koalicionit iu ndaë rrugët, gjë që më vonë u shfrytëzua si një nga arsyet për mocionin e votëbesimit të qeverisë Kurti.

Deklarimi dhe kërkesa e vazhdueshme e të dërguarit të presidentit amerikan Tramp, zotëri Grenell, që tarifa të hiqej pa kushte , hasi në vesh të shurdhër por duke e ditur se kjo mundë të ketë pasoja, Kurti u mundua të manovronte me heqjen e tarifës por vendosjen e reciprocitetit në mallrat e Serbisë.

Deklarimet e Grenell se tarifa duhej hequr pa kushte nuk u mor seriozisht nga qeveria Kurti me shpresën se kjo mundë të tejkalohet dhe se njëkohësisht kjo do e forconte pozicionin e tij në qeverisje. Ishte vlerësim i gabuar sepse kundërshtarët politik, duke llogaritur këtu edhe partnerin në qeveri LDK-në e shfrytëzuan këtë moment për të inskenuar rrëzimin e qeverisë me provokimin që Agim Veliu i bëri Albin Kurtit me deklarimin e tij pro gjendjes së jashtëzakonshme në rastin e pandemisë.

Ky provokim nuk ishte e vështirë që të inskenohej duke njohur karakterin e Kurti, i cili njihet si këmbëngulës në “parimet” e veta. Agim Veliu u shkarkua nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe kjo u mor si shkas për rrëzimin e qeverisë, e që nuk u la anash nga LDK pa u përmendur edhe tarifa.

Me qenë se heqjen e tarifës e kërkonin Amerikanët në rrjetet sociale,qytetarë dhe simpatizant të LVV kishin filluar propagandën e tyre se Grenell ishte njeri që nuk ia donte të mirën Kosovës ashtu si edhe administrata e Tramp. Kjo shkaktoi polemika dhe shtoi edhe një argument pse qeveria Kurti duhej të rrëzohej.

Kurti nuk mori mundin që të arsyetonte veprimet e veta ose të gjente zgjidhje tjera që qeveria të mos binte, gjë që disa e intepretuan se “vetë Kurti e donte rrëzimin e saj”. Nuk bëri mundin që të sqaronte më mirë qëndrimin e tij as për akuzat që iu bënë si antiamerikan. As më vonë nuk u bëri thirrje të ndalen ata që kërcënonin e fyenin mendimet politike më ndryshe e që kishin dozë antiamerikanizmi të kamufluar shpesh edhe të hapur.

Me gjasë kjo bëri që Grenell, natyrisht me perfiditet diplomatik ta mbështes opozitën Kosovare në dëm të Kurtit duke e quajtur rrenacak pikërisht lidhur me tarifën.

Kjo tarifë rrëzoi dy qeveri.

A ishte e nevojshme dhe çfarë dobie pati Kosova nga kjo tarifë. Tarifa shtoi kontrabandën,rriti disa çmime,pengoi qarkullimin e lirë të mallrave por dëm më i madh iu shkaktua raporteve Kosovë –SHBA, të cilët u tërhoqën nga projekti elektroenergjetik si dhe ndaluan donacione të ndryshme që i gëzonte Kosova. Këto ishin sinjal i mjaftueshëm për ta kuptuar se SHBA nuk pajtohej me mbajtjen e tarifës.

Shtrohet pyetja a duhet që ne të bëhemi të shurdhër në sugjerimet e SHBA?

Konsideroj që kërkesa e SHBA për heqjen e tarifës pa kushte është e arsyeshme në situatën kur SHBA po merr përsipër ndërmjetësimin e dialogut Kosovë –Serbi. SHBA synon që “shkaktarin” e refuzimit të bisedimeve nga ana e Serbisë ta eliminojë dhe këtë e arrin vetëm nëse Kosova bëhet bashkëpunuese me SHBA dhe e heq tarifën pa kushte. Kjo pastaj i hap rrugë SHBA-ve që ti qoj gjërat përpara në bisedimet Kosovë –Serbi.

Shtyerja e heqjes së kësaj tarife e cila një ditë do të hiqet pa kushte se s’ka tjetër vetëm se i humbi kohë Kosovës për të filluar dialogun më herët me Serbinë dhe i shkaktoi rënien e dy qeverive si dhe shkaktoi një rrëmujë politike jo vetëm brenda Kosovës por edhe me miqtë tanë të cilët na ndihmuan në çlirimin e vendit.

Kosova është çështje e pa përfunduar në tërësi prandaj mbështetja e SHBA është jetike për Kosovën.

 

Hysen Gecaj është bashkëpunëtor i jashtëm profesional i InfoGlobit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.