Ballina / OP./INTERVISTA / A do ta godasë SHBA-ja Sirinë?
femijet siria

A do ta godasë SHBA-ja Sirinë?

Nuk shoh ndonjë rezultat konkret nga këto goditje, përveç vuajtjeve të popullit të shkretë të cilët do të përjetojnë viktima, të plagosur dhe zhurmat e armatimit të ri.

Shkruan: MUHAMED JUSUFI

Ndërsa këtë mundësi (sikur rusëve ashtu edhe amerikanëve) ua kanë dhënë regjimet e fëlliqura arabe të cilët kanë pranuar që Siria të jetë një vend laboratori i armëve më të sofistikuara në botë

Trumpi e nisi një kontingjent ushtarak nga Qiproja për në brigjet e Sirisë, ndërsa Rusisë i tha që të pret armët e tij të sofistikuara, të mençura dhe të “bukura”!? Në anën tjetër nga aleatët Angli dhe Francë kërkoi pjesëmarrje, gjë që këto dyja iu përgjigjen pozitivisht. Shtrohet pyetja, goditja ka për qëllim kundërpërgjigjen ndaj hedhjes së gazrave helmues ndaj civilëve dhe vetëm kaq, apo ka interesa të tjera?

Thirrja e Trump-it, na bëri të vërejmë luhatjen e dytë amerikane për sa i përket Sirisë! Herën e parë Obama premtoi se brenda 10 ditëve do të godiste Sirinë dhe nuk e bëri, ndërsa tani Trump paralajmëroi se brenda 48 orëve do të godiste Sirinë!? Treguesit janë se edhe ky nuk do të arrijë ta bën.

Kjo tregon se Amerika nuk është ajo e viteve 90-ta, dhe se ka çekuilibrim brenda saj. Kur SHBA-të e kishin paralajmëruar Irakun në vitin 1990 se do ta godiste atë, brenda shtetit, administrata e Bushit menjëherë filloi të nxirrte sondazhet nëse populli ishte për luftë ose jo. Ishte rregull i brendshëm i SHBA-ve, nëse mendonin të hynin në luftë, administrata duhej të përgatisë opinionin për gjashtë muaj, dhe vetëm nëse opinioni i përgjithshëm kalonte mbi 64% pro luftës, atëherë SHBA-ja veç ishte në luftë. Sondazhet për luftën e Gjirit të vitit 1991 ishin rreth 78% pro luftës. Ndërsa Obama nuk e realizoi, tani edhe Trump-i sipas gjitha gjasave nuk do ta realizojë, mirëpo, goditja do të vjen se s’bën, por jo në formë të luftës sikur ajo e Irakut 1991, Afganistanit 2001 ose Irakut 2003, por goditje sporadike, false e cila është e pa rëndësishme për ushtritë në terren.

Amerika nëse do të duhej të godiste fuqishëm, cak i goditjeve do të duhej t’ishin aeroportet ushtarake dhe depot e armëve. Siria ka 5 aeroporte ushtarake (Sheriat, Dumejr, Sin, Dir Zur dhe Halhala) dhe disa depo të raketave tokë-tokë e tokë-ajër. Gjithashtu cak i goditjeve do të ishin forcat iraniane në Siri dhe Hizbullahi në Jug të Libanit. Nuk mendoj se SHBA-të për cak kanë forcat ruse, për arsyen e sipër theksuar, por nëse ndodhë të goditen rusët në Siri, atëherë kemi të bëjmë me një Hitler që nuk do t’i dihet fundi i çmendurisë së tij.

Tani qëllimi i kësaj goditje a është për ta edukuar Esedit dhe të gjithë diktatorët tjerë në botë, për t’iu treguar se SHBA-ja nuk do të lejojë as këtë e askënd tjetër në botë të vrasë ose helmojë civilë të pa fajshëm, apo kjo goditje ka synime të tjera, them se koha shumë shpejt do të tregojë. E para them se nuk qëndron. Esedi ka dëshmuar se është një diktator, mirëpo, as SHBA-të e as ndonjë forcë tjetër nuk e ndaloi tash e shtatë vjet. Ndërsa e dyta për synim ka: nën (a), shkatërrimin e ushtrive aleate sikur që është ushtria iraniane, Hizbullahi dhe disa grupe të tjera që po ndihmojnë Esedin, të cilën edhe këtë nuk do të arrijë ta bën, dhe nën (b), të provojë në terrenin real (arenë luftimesh) armatimin e tij të ri, ashtu siç tha të mençura dhe të bukura! Njëkohësisht, kjo do t’i shërbejë për t’i frikësuar shtetet rivale në botë, sikur Rusinë, Kinën, Korenë Veriore dhe Iranin.

Luhatja amerikane u pa kur SHBA-të dje u përpoqën të nxjerrin një rezolutë nga Këshilli i Sigurimit, e cila u pengua nga vetoja ruse dhe kjo e “ngadalësoi” procesin. Ndërkohë arsenali ushtarak sirian ka filluar të lëvizë dhe sipas të gjitha gjasave është vendosur në zonën e forcave ruse në Siri. Tani, nëse do të goditet Siria a do të arrijë t’ia shkatërrojë arsenalin e raketave dhe aviacionin!? S’do mend se edhe ushtria iraniane dhe ajo e Hizbullahit ka ndërruar pozicione për të shkuar në vende më të sigurta nëse nuk kanë qenë më parë, të cilat do t’ia vështirësojnë raketave amerikane për t’i asgjësuar.

Nëse ndodh që nuk do të goditet Siria, atëherë Trump do të jetë turpi i SHBA-ve i cili do të mbahet mend gjatë kohë, dhe besoj se kërkesa e masës së gjerë të elitave amerikane për ta shkarkuar atë do të rritet edhe më shumë. Mirëpo, ai nuk do të lejojë të shkarkohet, prandaj është i detyruar të godasë. Nuk shoh ndonjë rezultat konkret nga këto goditje, përveç vuajtjeve të popullit të shkretë të cilët do të përjetojnë viktima, të plagosur dhe zhurmat e armatimit të ri. Ndërsa këtë mundësi (sikur rusëve ashtu edhe amerikanëve) ua kanë dhënë regjimet e fëlliqura arabe të cilët kanë pranuar që Siria të jetë një vend laboratori i armëve më të sofistikuara në botë.

Dr. Muhamed JUSUFI është drejtor i Institutit për Hulumtime Strategjike Ballkanike, me seli në Prishtinë

@Fluidi

Provo po ashtu

Shtetet e Bashkuara, NATO dhe terrorizmi

Presidenti i Brookings Instituion (think tank më i madh amerikan), ish Komandant i ushtrisë amerikane …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.