fbpx

3 të vdekur si pasojë e sulmit terrorist në Nicë

Tre persona kanë vdekur në një sulm me thikë në qytetin francez, Nicë, ka thënë policia.

I dyshuari është ndaluar pak pas sulmit.

Kryetari i Nicës, Christian Estrosi ka thënë se gjithçka çon drejt “sulmit terrorist në zemër të bazilikës Notre-Dame”.

Estrosi u ka thënë gazetarëve se i dyshuari i sulmit, ka bërtitur “Allahu Akbar” (Zoti është më i madhi) edhe pasi është arrestuar nga policia, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Prokurorët francezë kundër-terrozimit kanë nisur hetimet për vrasje.

Estrosi ka thënë se një nga të vdekurit ka qenë kujdestar në bazilikë.

Ministri i brendshëm francez, Gérald Darmanin, u ka bërë apel njerëzve që të shmangin qendrën e këtij qyteti.

Ai ka thënë se do të organizojë një takim për kriza brenda ministrisë së tij në Paris.

Një minutë heshtjeje është mbajtur në Asamblenë Kombëtare, ku kryeministri, Jean Castex ka dhënë detaje për masat e reja të izolimit, që hyjnë në fuqi të enjten në mbrëmje.

“Pa diskutim, kjo është një sfidë serioze që po godet shtetin tonë”, ka thënë ai, duke bërë thirrje për unitet dhe kohezion.

Çfarë dihet për sulmin?

Dy nga personat e vdekur është thënë të jenë sulmuar brenda kishës, një grua në moshë dhe një burrë, i cili është gjetur me fyt të prerë.

Gruaja që ka arritur të ikë në një kafe të afërt është therrur disa herë dhe ka vdekur më vonë.

Më vonë është kuptuar që një dëshmitar ka menaxhuar të nisë alarmin, përmes një sistemi special për mbrojtje, të krijuar nga qyteti.

Cili është konteksti?

Nica ka qenë shënjestër e një prej sulmeve më të përgjakshme në vjetët e fundit, meqë më 14 korrik, 2016, një 31-vjeçar nga Tunizia, pati hyrë në një turmë me kamion, duke lënë të vdekur 86 persona.

Ky sulm vjen teksa Franca ende po rimëkëmbet nga shoku që ka përjetuar për shkak të një sulmi tjetër, që ka ndodhur më herët gjatë këtij muaji atje.

“13 ditë pas #SamuelPaty, shteti ynë nuk mund të vetëkënaqet më me ligjet e paqes për të shkatërruar islamo-fashizmin”, ka thënë kryetari i Nicës, Christian Estrosi.

Ai i është referuar sulmit ndaj mësuesit Samuel Paty, të cilit i është prerë koka në Paris nga një sulmues me origjinë çeçene.

Sulmuesi i Payt ka thënë se ka dëshiruar që ta ndëshkojë mësuesin pse u ka treguar nxënësve karikaturat e Profetit Muhamed në një orë mësimore.

Karikaturat – të publikuara vite më parë nga revista satirike franceze, Charlie Hebdo, zyrat editoriale të së cilës janë sulmuar më 2015 nga sulmues që kanë lënë të vdekur 12 persona – shihen si blasfemi nga disa myslimanë.

Prej prerjes së kokës së Patyt, karikaturat janë shfaqur në disa pjesë të Francës, në shenjë solidariteti, derisa Macron, i cili është takuar me komunitetin mysliman në Francë, është zotuar se do ta luftojë “separatizmin islamist”.

Vrasja e mësuesit ka ngritur tensione në Francë, ndërkohë që tentimet e qeverisë së këtij shteti për të shtypur Islamin radikal, kanë zemëruar Turqinë dhe disa shtete tjera.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka bërë thirrje për bojkot të mallrave franceze.

Situata është përkeqësuar pasi një karikaturë e presidentit turk është paraqitur në revistën satitike Charlie Hebdo të mërkurën.

“Agjenda anti-Islame e presidentit francez (Emmanuel) Macron është duke dhënë frytet e veta”, ka thënë të mërkurën Fahrettin Altun, Drejtori për Komunikime i Erdoganit, duke i përshkruar karikaturat si “të neveritshme”.

Në ballinën e së mërkurës, Charlie Hebdo ka vënë karikaturën e Erdoganit, të ulur në një karrige duke ngritur lart fustanin e një gruaje me titullin, “Erdogan – ai është shumë argëtues privatisht”.

“Qartazi është produkt i ksenofobisë, islamofobisë dhe ambientit kulturor jotolerant, të cilin udhëheqësia franceze duket se e do për vendin e vet”, ka thënë Altun.

Mirëpo, zëdhënësi i qeverisë franceze, Gabriel Attal, ka thënë po atë ditë se Franca do të vazhdojë luftën e saj kundër ekstremizmit islamik, pavarësisht kritikave nga presidenti Erdogan, dhe nuk do të dorëzohet në “përpjekjet e destabilizimit dhe kërcënimit”.

Franca “kurrë nuk do të heqë dorë nga parimet dhe vlerat e saj”, tha Attal pas një takimi të kabinetit qeveritar, duke theksuar “një unitet të fortë Evropian” kundër dhunës islamike, ka raportuar agjencia e lajmeve AFP.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.