184 të prekur me koronavirus në Kosovë; 5 persona kanë vdekur

184 të prekur me koronavirus në Kosovë dhe 5 persona të vdekur. Ky është epilogu i deritashëm i situatës me Covid-19 në Kosovë.

Këtë e kanë konfirmuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë.

Në njoftimin e IKSHPK-së shkruan për pesë rastet e vdekjes, “të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese (rasti i fundit nga Klinika Infektive me sëmundje shoqëruese infiltrim pulmonar, diabet tip 2, nefropati diabetike, tumor i gjëndrrës mbiveshkore të majtë, hipertension arterial dhe obezitet)”.

Poashtu theksohet se të marten gjashtë persona janë shëruar , ndërkoë janë regjistruar nëntëmbëdhjetë raste të reja me koronavirus, në tre turne testimi, duke e ngritur në 184 totalin e te infektuarve.

Në njoftimin e IKSHPK-së shkruan se rastet pozitive janë raste kontakti: shtatë me vendbanim në Smrekonicë-Vushtrri, tre nga Prishtina, dy nga Seniku-Malishevë dhe nga një rast nga vendbanimet në Llashkadrenovc-Malishevë, Sazli-Ferizaj, Ujmir-Klinë, Gjakovë, Gjilan, Topanicë- Kamenicë dhe Vushtrri.

IKSHPK-ja po ashtu ka bërë të ditur se të marten janë shëruar edhe gjashtë pacientë tjerë, duke bërë që numri i të shëruarve deri më sot të shkojë në 30.

“Nga data 08 shkurt deri më 07 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.352 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 184 me 5 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, shkruan në njoftim.

Në Kosovë vendimi i Qeverisë për kufizimin e qarkullimit nga ora 17 deri në orën gjashtë të mëngjesit mbetet ende në fuqi.

Nga 1000 deri 2000 euro gjobë do t’u jepen personave fizikë, e 3000-8000 euro atyre juridikë.

“Sot kemi pranuar qarkoren informative nga niveli qendror, lidhur me gjobat për mosrespektim të Urdhëresave dhe Vendimeve në kuadër të masave për parandalimin e shpërndarjes së virusit. Sipas nenit 53.1 të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, gjobat janë si në vijim: 1000-2000€ – për person fizik; 3000-8000€ – për person juridik;”, ka njoftuar përmes rrjetit Facebook i pari i Prishtinës Shpend Ahmeti.

Ahmeti shkroi në llogarinë e tij në Facebook se:- “Kohë për vërejtje, diskutim e mirëkuptim, nuk ka! Zbatoni masat! #rriNshpi”.

Policia e Kosovës është vazhdimisht aktive dhe po kontrollon hapësirat e frekuentuara publike si dhe parqet për të parandaluar qëndrimin e njerëzve të papërgjegjshëm në grupe.

Ka pasur disa dhjetëra raste që persona të cilët kanë shkelur vendimet e qeverisë dhe të komunave, për shkak se nik respektuan kufizimet për qarkullim, janë ndaluar në stacionet policore, kurse tash pritet edhe shqiptimi i gjobave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.