Krasniqi e Thaçi sot shfaqen para gjygjtarit në Hagë

Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të dalin ndaras para gjyqtarit të procedurës paraprake, në seancë fillestare të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Siç dihet të katër të akuzuarit janë përfshirë në një aktakuzë të vetme.

Në bazë të njoftimit të Speciales në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi “mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së“.

LEXO: Teksti i aktakuzës kundër Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit (dokument)

Seanca para-dëgjimore ndaj ish zëdhënësit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Jakup Krasniqit do të bëhet sot më 9 nëntor duke filluar nga ora 11:00.

Kjo është bërë e ditur nga Gjykata Speciale në aktakuzën e publikuar ndaj Krasniqit, Thaçit, Veselit dhe Selimit.

Në këtë aktakuzë, Krasniqi dhe të tjerët akuzohen për krime lufte, ndalim dhe trajtim të paligjshëm, tortura e vrasje.

Po sot më 9 nëntor në orën 15:00, do të mbahet paraqitja e parë e Hashim Thaçit në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, njoftojnë nga Gjykata Speciale.

Aktakuza kundër Hashim Thaçit u konfirmua më 26 tetor 2020. Më 5 nëntor Thaçi mbajti një konferencë për shtyp, ku njoftoi opinionin për konfirmimin e aktakuzës, e më pas iu dorëzua organeve përgjegjëse, që e transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë. Në konferencë Thaçi poashtu kishte dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës.

Aktakuza e ngarkon Hashim Thaçit me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.

Paraqitja e parë e Hashim Thaçit do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij, thuhej në njoftimin e parë për seancë.

Kadri Veseli në seancë para dëgjimore do të paraqitet të marten ndërkohë që Rexhep Selimit seanca i është caktuar për të mërkurën.

Thuaja se të gjitha mediat botërore kishin raportuar zhvillimet e luftës në Kosovë, gjatë të cilës forcat e Serbisë të drejtuara nga Sllobodan Millosheviqi kanë vrarë rreth 13 mijë shqiptarë. Për shkak të masakrave të njëpasnjëshme dhe krizës së thellë humanitare të krijuar në Kosovë, në mars të vitit 1999 NATO-ja filloi bombardimet nga ajri të forcave forcave dhe caqeve ushtarake të Serbisë. Pas 72 ditë bombardimesh Millosheviqi pranoi disfatën, me ç’rast ka nënshkruar marrëveshjen teknike me NATO-në për tërheqjen e trupave të Serbisë nga Kosova për t’i hapur rrugë vendosjes së forcave të NATO-së në Kosovë (KFOR).

Shumica e autorëve të krimeve kundër popullësisë shqiptare nuk janë dënuar as sot e kësaj dite, përkundër faktit se në shumicën e raste ato janë të dokumentuara mirë.

Katër ish eprorët e UÇK-së ndërkaq, akuzohen për krime, që pretendohet se janë kryer gjatë dhe në muajt e parë të pas luftës, kryesisht ndaj serbëve e shqiptarëve që ishin oponentë të tyre politikë. Të katër të akuzuarit që ndodhen tash e sa ditë në Hagë, në vazhdimësi kanë mohuar se ata apo pjesëtarë të UÇK-së qëndrojnë prapa pretendimeve që tashmë janë shndërruar në Aktakuzë.

Hashim Thaci dhe Kadri Veseli, më 2015 kishin votuar themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë (Gjykatës Speciale)./ InfoGlobi

LEXO EDHE:

QUINT vlerëson gatishmërinë e bashkëpunimit të akuzuarve me drejtësinë

Mustafa: Posti i Presidentit i takon PDK-së

Harta më poshtë shpalon lokacionet e varrezave masive ku besohet se u fshehën trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë nga forcat e Serbisë të drejtuara nga Sllobodan Millosheviqi gjatë luftës 1998-1999.

@infoglobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.