Kryeministri Kurti në vizitë tri orëshe në Tiranë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e para jashtë vendit që kur qeveria e drejtuar prej tij mori votëbesimin në parlamentin e Kosovës. Vizita sipas paralajmërimit do zgjasë vetëm 3 orë.

Ceremoniali i Mirëseardhjes për Kryeministrin e Kosovës u bë në Pallatin e Brigadave nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe nën ekzekutimin e himnit të Kosovës dhe Shqipërisë nga Banda Frymore e Forcave të Armatosura të RSH-së.

Pas takimit kokë-më-kokë të të dy kryeministrave, dy delegacionet , ai i Kosovës dhe i Shqipëris do të kenë një mëngjes pune që do të pasohet me konferencën e përbashkët për shtyp të Kurtit dhe Ramës.

Takimet e kryeministrit Albin Kurti do vijojnë me Gramoz Ruçin, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ku do të zhvillohet edhe ceremonia e dhënies së Çelësit të Tiranës Kryeministrit të Kosovës.

Takimet e kryeministrit Kurti në Shqipëri do të mbyllen me takimin me Lulzim Bashën, Kryetar i Partisë Demokratike.

Tirana zyrtare ka përshëndetur krijimin e qeverisë së Kosovës duke shpresuar njëherësh edhe për rritjen e bashkëpunimit vëllazëror në mes dy vendeve. Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas formimit të qeverisë së Kosovës, ka deklaruar se mezi pret që të punojë me qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, “për të realizuar ëndrrën e tij dhe të çdo shqiptari, apo për të nxjerrë të keqen”, siç thotë ai, “që midis Shqipërisë dhe Kosovës, kufiri të bëhet tërësisht fluid”.

“Mezi pres të punoj së bashku me ta për marrëdhënien tonë dhe është një temë që ka qenë gjithmonë ëndrra ime dhe ëndrra e çdo shqiptari të Shqipërisë dhe Kosovës, kufiri të bëhet tërësisht fluid. Ka folur Fatos Nano dhe disa janë tallur. Unë do të heq kufijtë e këtij rajoni ose mua nuk do më dalë e keqja. S’kemi pse merremi me këto, jo u hap kufiri e jo nuk u hap. Do hiqet kufiri i Shqipërisë me Kosovën dhe do bëhet si të shkosh nga Shkodra në Vlorë”, ka deklaruar Edi Rama.

Ndërkaq në prag të vizitës së kryeministrit të Kosoves në Tiranë, Konfindustria (Konfederata e Industrialistëve Shqiptarë) vlerëson se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë në nivel të pakënaqshëm dhe mjaft larg mundësive të pasurive natyrore, financiare, njerëzore si dhe interesit kombëtar.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Konfindustria deklaron se mbështet pjesën e programit politik të qeverisë së re të Kosovës të kryesuar nga Albin Kurti, në të cilën u theksua rëndësia e veçantë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.