Ballina / Biznes / Karrierë / 140 mln dollarë për Tregtinë e Transportin në Ballkan
banka boterore

140 mln dollarë për Tregtinë e Transportin në Ballkan

Banka Botërore ka ofruar 140 milion dollarë në mbështetje të një projekti për “Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor” i cili synon ta zvogëlojë, si kohën, ashtu edhe koston, e tregtisë në të gjithë rajonin.

Bordi i drejtorëve miratoi fazën e parë të projektit, vlera e të cilit shkon në 90 milion dollarë që do t’u jepen tre vendeve të Ballkanit, Serbisë (40 milion dollarë), Maqedonisë së Veriut (30 milion dollarë) dhe Shqipërisë (20 milion dollarë).

Projekti, sipas një deklarate të lëshuar nga Banka, do të financojë projektimin, përgatitjen dhe zbatimin e nismave për rritjen e transparencës dhe integritetit, uljen e kostove të transaksioneve, përmirësimin e bashkërendimit ndërinstitucional dhe shkurtimin e kohës së nevojshme për të bërë tregti ndërkufitare.

“Vonesat në pikat e kalimit kufitar në Ballkanin Perëndimor janë pesë herë më të gjata se në shumë vende të BE-së dhe çdo vit kamionët shpenzojnë deri në 26 milionë orë në pikat e kalimit kufitar në rajon, pra thuajse 3000 vjet,” u shpreh Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale për Ballkanin Perëndimor e Bankës Botërore. Ndërhyrja në fazën e parë, parashikon t’i ulë kostot vjetore të import-eksportit me më shumë se 10 për qind.

Megjithëse vendet e Ballkanit Perëndimor mund të eksportojnë pa tarifa në Bashkimin Evropian, vetëm 10-20 për qind e kompanive të këtij rajoni janë eksportuese.

“Zbatimi i procedurave (përfshirë kontrollet dhe doganat) dhe koha e shpenzuar në pikat e kalimit kufitar e ulin efikasitetin, i rrisin kostot dhe e pengojnë tregtinë”, shpjegon Banka Botërore duke sjellë si shembull Shqipërinë ku “87 për qind e kompanive shqiptare shesin vetëm në tregun vendas, 10 për qind eksportojnë në BE dhe vetëm 3 për qind shesin në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”.

Ky projekt, sipas Bankës, synon ta rrisë tregtinë rajonale nëpërmjet zvogëlimit të masave jotarifore, kohës së nevojshme për zhdoganim dhe kostove të përgjithshme të tregtisë.

Ai do të ndihmojë në lehtësimin e lëvizjes së mallrave në rajon nëpërmjet zbatimit të një sistemi me një sportel unik kombëtar (SUK), ku institucionet më kryesore do të jenë të lidhura me njëra-tjetrën për ta ulur kohën e nevojshme për eksport-import nëpërmjet doganave të digjitalizuara, përmirësimit të infrastrukturës në pikat e kalimit kufitar dhe instalimit të teknologjisë me rëndësi kritike si sistemet inteligjente të transportit (SIT) dhe sistemet e administrimit dhe informacionit për trafikun e anijeve (SAITA).

“Nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës, futjes së teknologjive të reja dhe rritjes së bashkërendimit mes institucioneve, ky projekt do ta nxisë tregtinë dhe rritjen ekonomike në mbarë rajonin,” tha Van Gelder, duke shtuar se në të njejtën kohë “projekti do t’i ulë edhe çlirimet e gazeve serrë me thuajse 30.000 ton, përmes uljes së kohës së qëndrimit në vend me motor ndezur të automjeteve, instalimit të paneleve diellore në ndërtesat doganore dhe mbjelljes së pemëve të reja përreth hapësirave të parkimit.”

Sipas Bankës Botërore “përfitime të tjera mjedisore nga projekti përfshijnë përdorim më të vogël të letrës për shkak të digjitalizimit, rritje të eficiencës energjetike në ndërtesa të reja dhe të rimodeluara dhe zbatimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm për të monitoruar risqet e ndryshimit klimatik dhe për të parashikuar ndërprerjet në tregtinë e kryer me anë të rrjetit rrugor”.

@Fluidi

Provo po ashtu

aleksander vuciq

Vuçiç: Sot do të nënshkruaja për liberalizimin e vizave për Kosovën

Presidenti serb Aleksander Vuçiç, gjatë konferencës për shtyp me përfaqësuesit serb të Kosovës, ka deklaruar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.