fbpx

120-vjet nga zbulimi i shkrimit më të lashtë kinez

Në vitin 1899, dijetari dhe zyrtari i dinastisë Qing Wang Yirong zbuloi shenja misterioze në disa kocka të shitura nga tregtarët e antikave. Këto ishin shkrimet në zhguaj e kocka të dinastisë Shang.

“U zbulua sekreti i para tre mijë vjetëve”, kështu e vlerësoi zbulimin e befasishëm të këtyre shkrimeve dijetari Luo Zhenyu, pionieri i studimeve mbi shkrimet në zhguaj e kocka.

Në fund të shekullit të 19-të, Kina ishte në rënie. Me hyrjen e shkencës perëndimore, një pjesë dijetarësh filluan të dyshonin te qytetërimi kinez, e madje u shfaqën zëra për mospërdorimin e hieroglifeve kineze. Zbulimi i shkrimeve në zhguaj dhe në kocka iu duk dijetarëve kinezë si një rreze drite në errësirë.

“Shkrimet në zhguajt e breshkave e në kocka janë pasqyrë e mendimeve të njerëzve të kohës së lashtë dhe shënime të drejtpërdrejta historike. Nga këta zhguaj dhe kocka, mund të njohim shumë ngjarje e karaktere të dinastisë Shang dhe mund të kuptojmë lartësinë e qytetërimeve të asaj kohe.” Tang Jigen, që ka drejtuar për mbi 20 vjet gërmimet arkeologjike në rrënojat e Yin-it, thotë se shkrimet në në zhguajt e breshkave e në kocka dhe rrënojat e Yin-it vërtetojnë rrënjësisht dinastinë Shang, që dikur kishte qenë vetëm një legjendë. Kështu, historia e shkruar e Kinës u çua një mijë vjet më herët.

Si format më të hershme të konsoliduara të shkrimit të përdorura nga kombi kinez, me t’u zbuluar pas nxjerrjes nga rrënojat, shkrimet në zhguaj e kocka u deshifruan pjesërisht. Gjatë 120 vjetëve, u zbuluan gjithsej afro 4500 hieroglife në zhguaj e kocka dhe një e treta prej tyre u deshifruan. Dy të tretat e tjera janë kryesisht emra njerëzish ose vendesh. Ky fakt i papërfytyrueshëm është pikërisht veçoria e shkrimit kinez.

“Ndryshe nga shkrimi kuneiform në Mesopotami, shkrimet në Egjiptin e lashtë e në Indinë e lashtë dhe shkrimi i majave në Amerikën Qendrore, shkrimi në zhguaj e kocka i Kinës së lashtë nuk u zhduk dhe është trashëguar brez pas brezi, duke u shndërruar në hieroglifet e sotme,” shpjegon Song Zhenhao, drejtori i Qendrës Kërkimore mbi Historinë e Dinastinë Shang me Kryeqytet Yin-in. “Si një nga shkrimet më të lashta me zanafillë të pavarur, shkrimi kinez është i vetmi që trashëgohet dhe përdoret deri më sot. Ai ka rëndësi të madhe edhe për kuptimin e alfabeteve të tjera të lashta.”

Gjatë mbi tre mijë vjetëve, edhe shkrimi kinez ka përballuar sfida njëra pas tjetrës. Megjithatë, ai ka arritur të përtërihet e të përmirësojë vetveten gjatë krizave dhe ka treguar gjallëri e qëndrueshmëri të madhe.

Si drejtor i Muzeut të Shkrimit të Kinës, të rinjtë i kanë bërë shpesh Huang Dekuanit një pyetje: “Në kohën e informacionit, kur komunikimi realizohet nëpërmjet celularit dhe dokumentet audiovizive mund të ruhen për një kohë të gjatë, a ka më rol të madh shkrimi?”

Edhe pse i është përgjigjur shumë herë kësaj pyetje, Huang Dekuan-i ka prapëseprapë dëshirë ta përsëritë: “Informacionet e ruajtura me shkrim mund t’u qëndrojnë më mirë provave të kohës. Interneti, si teknologji e re për transmetimin e informacionit, nuk mund të zëvendësojë funksionin e shkrimit. Nga këndvështrimi i lindjes e zhvillimit të qytetërimit kinez, hieroglifet kineze kanë luajtur rol kyç dhe themelor.”

Qysh nga lindja e tij, shkrimi në zhguajt e breshkave dhe kocka ka qenë mbartës i bukurisë dhe ka krijuar hapësirë të gjerë për krijimtarinë artistike.

Kohët e fundit, në qytetin Anyang u zhvillua një ekspozitë e bukurshkrimit me hieroglifet në zhguaj e kocka.

Ndërkohë, profesori i Shkollës së Arteve të Bukura pranë Universitetit Tsinghua, Chen Nan, i jep këtij shkrimi të lashtë bukurinë moderne përmes mënyrave në modë. Ai ka publikuar me radhë filmin e animuar “Goditja me shigjetë e diellit”, tipat e parë të shkronjave në botë të dizenjuar sipas hieroglifeve në zhguaj e kocka, piktura me hieroglifet në zhguaj e kocka dhe meme në bazë të këtyre hieroglifeve. Me përpjekjet e tij, shkrimi i lashtë, që kishte mbetur vetëm si relikt dhe në libër, është bërë i gjallë.

“Shkrimi në zhguajt e breshkave e në kocka pasqyron estetikën naive të njerëzve të lashtë. Sot ai bëhet më interesant kur integrohet me dizenjimin modern. Ai është trashëgimi e historisë, por pasqyron edhe përparimin e qytetërimit njerëzor. Rëndësia e tij e kapërcen atë të një shkrimi,” thotë Chen Nan.

Gjatë 120 vjetëve pas zbulimit të shkrimit në zhguajt e breshkave e në kocka, studimi i këtij shkrimi është bërë një shkencë ndërkombëtare dhe studiuesit e tij janë të shpërndarë në dhjetëra vende. Ky lloj shkrimi është bërë edhe një mjet i rëndësishëm për njohjen e historisë e të qytetërimit të hershëm të Kinës. (Wang Lei)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.