Komuna e Malishevës dhe ajo e Prishtinës prijnë me numrin më të madh të rasteve
Janë më shumë se 2 mijë e 300 persona të cilët deri më tani janë pickuar nga rriqrat. Ndërkohë që në klinikën Infektive të QKUK-së, vetëm një rast nga 400 persona sa janë trajtuar është konfirmuar me ethe hemorragjike dhe bëhet fjalë për një fëmijë 10-vjeçar.
Drejtoresha në Klinikën Infektive të QKUK-së Lindita Ajazaj-Berisha ka deklaruar se gjendja për momentin është stabile.
“Për momentin gjendja është stabile. Numri i rasteve nga pickimi i rriqrave ka filluar që të zvogëlohet. Një rast e kemi pas të konfirmuar me ethe hemorragjike krime kongo, mirëpo ai është në gjendje të mirë shëndetësore. E kemi lëshuar në shtëpi tash. Është pacient i moshës 10-vjeçare”, ka treguar doktoresha.
Ndërkohë, ajo thotë se në Klinikën që ajo e drejton vetëm te një rast i pickimit nga rriqra është vërtetuar se është prekur nga krimet kongo.
Ndërkohë që sipas drejtoreshës së Infektives në QKUK në këtë klinikë që nga marsi e deri më tani janë paraqitur rreth 400 raste të pickimit nga rriqrat. Nga këto raste, me pickime, dominon rajoni i Prishtinës. Shumica nga këto raste sipas Berishës kanë qenë raste ambulantive. Ndërkohë që nga 400 raste me pickime vetëm 27 persona janë hospitalizuar në klinikë.
E ndërkohë në bazë të të dhënave të bëra publike nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbi 2300 persona janë pickuar nga rriqrat vetëm gjatë këtij viti, derisa komuna e Malishevës dhe ajo e Prishtinës prijnë me numrin më të madh të rasteve.
Nga Instituti Kombëtar thonë se numri i të pickuarve në Komunën e Malishevës ka arritur në 968, 368 raste në komunën e Suharekës, 273 raste në komunën e Klinës dhe 125 në komunën e Rahovecit.