Vishuni shqip
31 / 01 / 2013, 13:55

Edhe Kosova tashmë ka një markë të veshjeve unike të cilën mund ta quajmë edhe kombëtare.
Intervistë me Donik Karaqin
Intervistoi: Finesë Hyseni
Kjo falë 20 vjeçarit nga Prishtina, Donik Karaqi i cili me dizajnet e tij ka arritur të pushtojë jo vetëm Kosovën por edhe rajonin dhe diasporën. Karaqi në një intervistë për InfoGLOBIN flet për komaninë “Folkanshqip” kompani e re kjo në tregun kosovar, që prodhon fanella dhe bluza unike me karaktere dhe simbole kombëtare-shqiptare. E tëra kishte filluar me pasionin e Donikut që ka për simbolet kombëtare. Doniku tashmë ka arritur që me markën e tij të bluzave me simbole kombëtare të depërtojë në rajon dhe në Evropë ku gjendet diaspora kosovare.
InfoGLOBI: Donik, si ju ka ardhur ideja për këto dizajne?
Karaqi: Në fillim i kam bërë vetëm për vete, se profesionin e kam pasur dizajner.
Si fëmijë më kanë pëlqyer shumë simbolet kombëtare, kam qenë shumë i lidhur me heronjtë kombëtar, sidomos Skënderbeun e kam pas personazhin kryesor. Edhe gjatë gjithë kohës kam menduar të bëjë diçka të re, pasi që askujt nuk i kam parë bluza me simbole kombëtare. Kur kam filluar në fillim kam bërë dizajne vetëm për vete. Por miqëve aq shumë u pëlqenin sa mi largonin nga trupi dhe pas kësaj kam bërë një hulumtim të tregut, dhe kam thënë me vete pse mos me fillu një biznesi të tillë.
Faktikisht kanë qenë disa dizajne po kanë qenë shumë të dobëta. Unë kam dashtur të thyejë tabunë, pse mos të kemi diçka të mirë me simbole tona, me qenë kualitet dhe të shitet si të gjitha markat e njohura.
InfoGLOBI: Cili ka qenë hapi i parë që keni ndërrmarë për të filluar realizimin e kësaj ideje?
Karaqi: Po në fillim kemi desht që gjithçka me qenë vendore. Nuk kemi dëshiruar që as bluzat me qenë nga jashtë as shtypja të bëhet jashtë, por gjithcka të kryhet në Kosovë. I kemi siguruar edhe bluzat, modele që janë qepë vetëm për ne.
InfoGLOBI: Folkanshqip, njihet edhe për shitje online, sa janë kërkesat për blerje online?
Karaqi: Po, kemi qenë të parët që e kemi bërë shitjen online. Shitje online të suksesshme në Kosovë deri atherë nuk ka pasur. Shitja online është bërë për të gjithë banorët e Kosovës dhe transporti ka qenë falas. Ne e kemi përdor shitjen online si hap të parin. Kërkesat në fillim kanë qenë shumë më të mëdha, kjo pasi që për njerëzit ka qenë risi, dhe disa madje kanë porosit vetëm për të shikuar se a do arrijë bluza në vendin e caktuar. Edhe tani ka kërkesa online por janë më të pakta pasi që kemi edhe 13 pika të shitjes.
InfoGLOBI: A ka qenë i vështirë depërtimi në tregun kosovar?
Karaqi: Them të drejtën ka qenë i vështirë. Pasi që unë nuk kam pasur përvojë shumë të madhe në biznes, ka qenë pak e vështirë por përparësia ime ka qenë se unë nuk kam marrë asgjë ‘shabllon’, të gjithin e kam krijuar vet. Dhe rruga përmes të cilës kam depërtuar ka qenë krejtësisht e re. Por si çdo fillim është pak i vështirë por jam stabilizuar shumë shpejtë.
InfoGLOBI: Rrjetet sociale si Facebook, Twitter, etj., a ua kanë bërë më të lehtë depërtimin në treg?
Karaqi: Po, rrjetet sociale kanë qenë një faktor kyq edhe në suksesin tonë. Por edhe vetë dizajni edhe vetë bluza flet. Një njeri që e ka pa bluzën, e ka ditë që ajo është diçka jo e zakonshme në tregun tonë dhe ka pyetur është interesuar dhe na ka gjetur.
InfoGLOBI: Po koleksione keni mbajtur ndonjëherë?
Karaqi: Po kemi mbajtë. Deri më tash kemi mbajt katër koleksione. Pranver-Verë, Vjeshtë-Dimër dhe përsëri Pranver-Verë, Vjeshtë-Dimër.
InfoGLOBI: Pasi që koleksionet e juaja janë në frymën tradicionale, konkretisht patriotike, do sjellni diçka të re me rastin e100 vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë?
Karaqi: Po, padyshim! Pasi që sivjet është 100 vjetori i Pavarsisë së Shqipërisë, kemi vendos të kemi një sfilatë që do quhet “100 vjet” ku do të prezantohen 10 dizajne të reja. Asnjë nga dizajnet nuk është parë më herët të gjitha janë ekskluzive. Përndryshe sfilata do të mbahet me datën 23 nëntorë në ora 20:00 në Sheshin 21, ku kam nderin tani të jap një ftesë ty dhe disa ftesa tjera për stafin tuaj.
InfoGLOBI: Do zbuloni diçka ekskluzive për InfoGLOBI-n lidhur me këto dizajne të pa para më heret?
Karaqi: Po, pasi që nuk më le zgjidhje tjetër (Qesh). Do zbuloj se të gjitha koleksionet kanë me qenë të lidhura me 28 Nëntorin, 1912-shin dhe me figura patriotike që kanë ndiku në shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë.
InfoGLOBI: A do ketë të ftuar personalitete nga Shqipëria në sfialtën “100 vjetori”?
Karaqi: Po, padyshim. Ka shumë të interesuar për këtë koleksion nga Shqipëria, prandaj besoj se do ketë të ftuar.
InfoGLOBI: Po interesimi për dizajnet e juaja a ka edhe nga vendet e rajonit?
Karaqi: Kërkesa është shumë e madhe. Për Shqipëri ende nuk kemi gjetë një distributor por besoj që shumë shpejt do fillojmë distribuimin e mallit në Shqipëri.
Ndërsa sa i përket Maqedonisë ne kemi një distributor dhe shpërndarja bëhet në gjithë territorin e Maqedonisë dhe ka shumë njerëz të interesuar.
InfoGLOBI: Po për diaspor si qëndron puna? Kanë mundësi gyrbetqarët të blejnë bluzat me dizajne të “Folkanshqip”?
Karaqi: Po, edhe gyrbetqarët mund të blejnë bluzat tona. Para 3 muajve kemi bërë porosinë e parë në diasporë, ka qenë në Bazel me një dyqan me pronar shqiptar.
Tani kemi gjetë një distributor tjetër që do na mundësojë jo vetëm në Bazel por në gjithë Zvicrën. Porosia do t’u shkoj brenda 24 orëve dhe shpenzimet postare kanë me qenë të përfshira në çmim.
InfoGLOBI: A ka ndodh që dizajnet e juaja të keqpërdoren nga dikush tjetër?
Karaqi: Po ka ndodhë. Por pasi që ne e kemi markën e mbrojtur i kemi gjetë personat por pasi ka qenë hera e parë që dikush i ka marë nuk kemi dashur të shkojmë me padi por jemi kuptuar me fjalë. Por nëse do ketë raste tjera në të ardhmen padyshim se do përcillen në gjyq.
InfoGLOBI: Donik, faleminderit shumë për kohën tuaj. Premtojë që do jem prezente në sfilatën “100 vjetori”.
Karaqi: Faleminderit shumë, knaqësia është e imja!





