Urgjentisht për Bukoshin
09 / 02 / 2013, 9:53

Bujar Bukoshi është baba dhe bashkëshort i mirë. Madje edhe po akuzohet gabimisht, prandaj lënda e tij duhet shqyrtuar menjëherë. Ky është vlerësimi që mbrojtja dha për ish- Ministrin e Shëndetësisë të premten në seancën e radhës në rastin Tolaj. Trupi gjykues ka mbetur që ta shqyrtojë kërkesën e prokurorit për zgjatjen e masës së arrestit shtëpiak për Ilir Tolajn edhe për 30 ditë të tjera.
Ka vazhduar gjykimi në ‘Rastin Tolaj’. Në një sallë të improvizuar në ‘Kino ABC 1’ të premten është mbajtur seanca e radhës e këtij rasti, gjatë së cilës prokuroria, mbrojtja dhe palët e dëmtuara kanë pasur rastin që të paraqiten para trupit gjykues me fjalët e tyre hyrëse. Prokurori ka lexuar sërish aktakuzën për të pandehurit e këtij rasti, kurse mbrojtja e të pandehurve i ka kundërshtuar pikat e aktakuzës që rëndojnë mbi klientët e tyre, përderisa palët e dëmtuara e kanë mbështetur në tërësi aktakuzën e prokurorit. Qysh në pjesën e parë të seancës, trupi gjykues mori vendim që lënda ndaj Ismet Ajetit dhe Nexhat Shabani, të veçohen nga lëndët e të pandehurve tjerë në këtë rast. Pas leximit të aktakuzën nga prokurori, palët e tjera patën rastin që shkurtimisht të paraqiten me fjalën e tyre hyrëse.
Arjanit Koci, avokati mbrojtës i palës së dëmtuar “Jona Med”, në fjalën e tij të shkurtër para trupit gjykues, e ka mbështetur aktakuzën e prokurorit, duke theksuar se “Jona Med është dëmtuar sistematikisht për një kohë të gjatë, moralisht dhe materialisht”. Sipas tij, “kjo ka qenë një traumë për familjen Deshishku”, duke kërkuar që ky dëm të kompensohet, të cilën gjë e ka përsëritur edhe pas seancës. “Pala e dëmtuar, kompania ‘Jona Med’, e ka mbështetë në tërësi aktakuzën e prokurorit, për shkak se sistematikisht ka qenë e dëmtuar… Ne do të kërkojmë që dëmi i cili na është shkaktuar, edhe moral, edhe material, të na kompensohet”, ka thënë ai, shkruan Express.
Edhe Berat Marmullaku, zyrtar i prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, i ftuar si palë e dëmtuar, e ka mbështetur në tërësi aktakuzën e prokurorit. Njëjtë u shpreh edhe Fadil Lubeniqi, përfaqësues i “Pro Pharm Helvetica” dhe palë e dëmtuar në këtë proces, duke shtuar se janë dëmtuar ekonomikisht dhe moralisht, andaj edhe ky ka kërkuar kompensim. Në këtë drejtim, mbështetja në aktakuzë erdhi edhe nga përfaqësuesi i kompanisë farmaceutike “Sante Pharm”, njëherësh edhe palë e dëmtuar, Milaim Abdullahu.
Më tej, me fjalë hyrëse është paraqitur mbrojtja e ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj. Avokati i tij, Korab Rexhepi, ka deklaruar në seancë se prokurori po mundohet të tregojë një tregim që nuk është i vërtetë, po tentohet t’i jepet një shije politike dhe po manipulohet me opinionit. Sipas tij, 147 faqet e aktakuzës janë vetëm një roman i shkruar dobët.
Ai ka deklaruar se i mbrojturi i tij, Tolaj, nuk e ka penguar drejtësinë, ashtu siç pretendohet në aktakuzë. Më tej avokati i Tolajt, ka thënë se provat do të tregojnë se i mbrojturi i tij nuk i ka kryer veprat me të cilat e ngarkon aktakuza në këtë rast. E Besnik Berisha, avokat mbrojtës i ish-ministrit të Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, fjalimin e tij hyrës e ka nisur duke e cilësuar klientin e tij si baba të mirë, bashkëshort të mirë.
Ai ka pranuar se Bukoshi ka paraqitur padi ndaj kompanisë farmaceutike “Jona Med”, pasi që ai ka pranuar informata se dikush e ka zbrazur buxhetin edhe ashtu të vogël në mënyrë ilegale. Ai ka shtuar më tej se prokurori gjatë fjalimit të tij është munduar që ta bindë trupin gjykues se gjoja Tolaj paska ndikuar tek Bukoshi që të ushtrojë padi ndaj “Jona Med” dhe kjo si hakmarrje ndaj kësaj të fundit, e cila kishte ngritur më parë padi ndaj Ministrisë së Shëndetësisë.
“Që nga fillimi e kam thënë dhe e përsërisë, jo vetëm që nuk ka prova, por gjithçka kundër tij është e kundërligjshme, është kundërkushtuese dhe ka shënuar një precedent të padëgjuar dhe të palexuar asnjëherë më parë”, ka thënë ai. Sipas avokatit Berisha, nëse vërtetohet se Bukoshi ka vepruar jashtë autorizimeve të tij, atëherë do ta kërkojnë ndëshkimin e tij.
Mbrojtja e Bukoshit ka kërkuar, po ashtu, që lënda e Bukoshit të veçohet nga lëndët e tjera dhe të shqyrtohen urgjentisht provat e lëndës dhe të shpallet i pafajshëm, dhe në këtë mënyrë t’i krijohet mundësia që ai ta ushtrojë funksionin e zëvendëskryeministrit të vendit. Gjatë seancës edhe avokatët e tjerë të të pandehurve i janë drejtuar trupit gjykues me fjalët e tyre hyrëse, duke e konsideruar kështu njëzëri aktakuzën si të pabazuar në të gjitha pikat që rëndojnë mbi ta. Për më tepër, trupi gjykues ka mbetur që ta shqyrtojë kërkesën e prokurorit për zgjatjen e masës së arrestit shtëpiak për Ilir Tolajn edhe për 30 ditë të tjera. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 13 të këtij muaji.





