Thaçi: Në dialog po shënohen rezultate
08 / 02 / 2013, 15:16
Kryeministri kosovar Hashim Thaçi tregohet optimist për normalizimin e situatës së tensionuar në veri të Kosovës. Në një intervistë për gazetën vjeneze “Die Presse”, e cila është botuar në numrin e sotëm, ai shpreson për pranimin e shpejtë të Kosovës në OKB.

Prishtina dhe Beogradi të shtyrë nga trysnia e Bashkimit Evropian për përpiqen për normalizim të marrëdhënieve fqinjësore përmes dialogut, megjithatë, partneriteti mes tyre po krijohet mbi një shtresë shumë të hollë akulli..
Largimi i një përmendoreje të luftës në Luginën e Preshevë në jug të Serbisë, në janar, u bë shkak i tensioneve të reja midis serbëve dhe shqiptarëve, të cilat për pasojë, patën dëmtimin e varrezave serbe. Por tensionet nuk munguan as këtë javë. Në lagjen e përzier ku jetojnë shqiptarë dhe serbë, në veri të Mitrovicës, pati disa shpërthime të bombave, ku për pasojë u plagosën dy fëmijë. Për këtë u arrestuar një serb. Kryeministri Hashim Thaçi, në intervistën për gazetën “Die Presse”, flet për fqinjësinë e ndjeshme me serbët dhe njohjet ndërkombëtare të Kosovës, gati pesë vjet që nga shpallja e pavarësisë.
Die Presse: Më në fund keni vendosur kontakte direkte me homologun tuaj serb Ivica Dacici. Pse, megjithatë, marrëdhëniet me Serbinë vazhdojnë të mbesin kaq të mundimshme dhe gjithnjë të predispozuara për tensione?
Hashim Thaçi: Pas nesh shtrihet një periudhë 100 vjeçare e pushtimit serb. Ne jo vetëm që u shtypëm në planin politik dhe kulturor, por edhe në atë ekonomik nga Serbia. Është e vështirë të tejkalohen pasojat e së kaluarës, sepse një shekull urrejtje nuk mund të zhduken(fshihen) aq shpejt. Ndoshta, ne kurrë nuk do të duhemi me sinqeritet mes veti, por jam i bindur se ne do të jemi të detyruar të jetojmë përgjithmonë pranë njëri – tjetrit, në një fqinjësi të ngushtë dhe të mirë.
Die Presse: Para një jave u dëmtuan varrezat serbe në Kosovë?
Hashim Thaçi: Qeveria ime i ka gjykuar ashpër këto veprime. Nuk do të lejojmë që të shkelen të drejtat e minoriteteve dhe t’i mungojë qoftë dhe një fije floku ndonjë Bashkësie etnike. Nuk do të lejoj kurrë që të përsëriten ngjarjet e vitit 2004. Dëmtimi i varrezave serbe kurrë nuk ka qenë pjesë e traditës sonë. Kjo është një vepër e personave të papërgjegjshëm, të cilat në të vërtetë i kanë shkaktuar dëme të tmerrshme shtetit të Kosovës me këto veprime.
Die Presse: Atëherë si i shpjegoni tensionet e reja?
Hashim Thaçi: Eskalimi në Preshevë ka qenë plotësisht i panevojshëm. Ka qenë një kurth , e cila ishte vendosur për shqiptarët e atjeshëm nga pushteti i Beogradit, gjë që pati reflektim negativ edhe për zhvillimet në Kosovë. Çmimin për këtë duhet ta paguajë Kosova. Në fakt, ky ka qenë qëllimi i Qeverisë së Serbisë, i përkrahur edhe nga injoranca politike e disa politikanëve në Preshevë.
Die Presse: A mund ta ngarkojnë këto incidente dialogun që po zhvillohet?
Hashim Thaçi: Në janar pata takimin e katërt me kryeministrin Dacic. Bisedimet tona kanë qenë konstruktive dhe pozitive falë edhe ndërmjetësimit të shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, e cila ka kaluar gati gjashtë orë me ne në takim. Takimi ynë i radhës është planifikuar për 22 shkurt. Aty do të flasim për shpërbërjen e strukturave paralele në veri të Kosovës. Jam optimist se do të arrijmë të normalizojmë edhe gjendjen në veri.
Die Presse: Megjithatë, deri më tani, institucionet kosovare nuk ia kanë dalë të kenë qasje në veri. Cila është arsyeja e hezitimit tuaj?
Hashim Thaçi: Në takimin e fundit tashmë kemi shënuar përparime dhe kemi arritur disa rezultate. Në pikat kufitare në veri, do të paguhen tatimet dhe doganat, sipas ligjeve të Kosovës dhe ato të holla do të derdhen në buxhetin e Kosovës, dhe me pas do të rrjedhin për zhvillimin ekonomik të veriut. Me këtë fond, do të financohet ndërtimi i infrastrukturës në veri kurse të gjitha sipërmarrjet ekonomike do të jenë nën kompetencë të autoriteteve financiare të Kosovës. Jemi marrë vesh edhe për realizimin e zgjedhjeve të lira komunale në veri. Zgjedhjet do të organizohen nga OSBE-ja.
Die Presse: Po mbushen pesë vjet nga pavarësimi i Kosovës. Pesë vite e pavarur, por ende e pa anëtarësuar në OKB. Vendit tuaj nuk po i lejohet as themelimi i një kombëtare futbolli. A nuk është Kosova më shumë një gjysmë shteti se sa një shtet me sovranitet të plotë?
Hashim Thaçi: Kosova është një vend dhe shtet si të gjitha shtetet tjera në rajon. Ne jemi njohur ndërkohë nga rreth 100 shtete në të botës, në mesin e tyre janë dhe vendet me të fuqishme botërore. Kosova do të bëhet një shtet i respektuar dhe krenar, anëtar i OKB-së, NATO-s dhe BE-së. Ka vështirësi në Këshillin e Sigurimit para së gjithash nga Rusia. Mirëpo, tashmë ne kemi filluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe me këtë zvogëlohen arsyet e Rusisë që të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Pavarësia e Kosovës është një storie suksesi, sepse ajo ka stabilizuar rajonin.
(“Die Presse”, Botimi i printuar (Print-Ausgabe, 08.02.2013)
Përktheu: Fadil Gashi





