Thaçi: Kosova shënoi rritje ekonomike 4%
13 / 02 / 2013, 11:08

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në mbledhjen e parë për vitin 2013 të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, tha se gjatë vitit që lamë pas Kosova ka shënuar progress, duke shtuar se Kosova ka shënuar një rritje reale në vlerë prej 4%, përkundër krizës ekonomike e cila e ka kapluar ekonominë globale.
“Rritje kanë shënuar edhe të ardhurat për kokë banori që janë matës i përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve” tha kryeministri.
“Ky progres dëshmon se politikat ekonomike që dalin nga Vizioni i Zhvillimit Ekonomik, i cili ka shërbyer si Platformë Reformatore e Qeverisë që unë drejtoj, kanë qenë politika të qëlluara është shprehur Thaci duke shtuar se këto politika ekonomike përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve e bazojnë në fuqizimin e sektorit privat.
Kryeministri ka thënë se qeveria vazhdimisht është angazhuar që përmes ngarkesës më të vogël tatimore të stimulojë zgjerimin dhe fuqizimin e sektorit privat dhe kështu të përshpejtojë rritjen dhe zhvillimin ekonomik në vend.
“Qeveria ka rritur vazhdimisht investimet kapitale me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore. Shumë shpejt do të përfundohet rruga R7. Sa i përket rrugës R6 Prishtinë-Shkup, përgatitjet veç ka filluar” ka thënë Thaçi./InfoGLOBI/





