Shqip   •   English   •   Srpski

Takimi Jahjaga-Nikoliq, pritej diçka më konkrete

07 / 02 / 2013, 15:51

kuvendi_kosoves_2013

Takimi mes Presidentes të Kosovës Atifete Jahjaga dhe Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, nuk ka kaluar pa u kritikuar nga politikanët dhe analistët. Edhe pse politikanë nga partitë opozitare e përkrahin dialogun ata kërkojnë që të ketë diçka më konkrete në këto takime. 

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është shprehur se e bështet takimin mes Presidentes të Kosovës Atifete Jahjaga dhe atij serb Tomislav Nikoliq, kjo pasi që sipas Haradinajt ky takimi tregon ndryshimin e realitetit të deritashëm mes Kosovës dhe Serbisë.

“Efekti i takimit është edhe domethënës tek opinioni publik, sepse ka qenë një  ngjarje pozitive për të dyja vendet, sepse edhe në praktik po dëshmohet normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi” është shprehur Haradinaj.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri ka thënë se partia e tij  parimisht e mbështet këtë dialog, ‘por jemi fuqimisht kundër asaj që  të bisedohet për çfarëdo teme që del jashtë  Kushtetutës  dhe rezolutës që  rrezikon integritetin dhe sovranitetin e vendit’ tha Beqiri.

Beqiri ka shprehur shqetësimin e tij për takimin e mbrëmshëm. Ai ka konsideruar se takimi i mbrëmshëm ndërmjet Jahjagës dhe Daciqit nuk ka pasur ndonjë rezultat.
Ai gjithashtu ka thënë  ‘jemi të informuar  për takimin po aq sa jeni edhe ju  të informuar nga deklaratat në TV’.

Beqiri ka thënë se duhet përsëri të mbahen takime të tilla , si presidentja, kryeministri i vendit dhe kushdo çoftë që e përfaqëson Kosovën, duhet ti përmbahet Kushtetutës.

“Mendoj se  për takimin  e presidentes do të ishte mirë të informohet edhe Kuvendi” është shprehur Beqiri.

Beqiri ka folur edhe për ‘gjendjen kritike’, të deklaruar  nga Ashton për veriun. Ai thotë se  nuk mund të përcaktoj për çfarë  gjendje kritike saktësisht ka folur Ashton, por thotë shton se gjendje kritike për Kosovën ka qenë  edhe pakoja Ahtisari, që ka qenë  sakrificë dhe koncesion i madh.
”Nuk mund të paragjykoj se çfarë mund të ndodhë, për atë se çka ka thënë kritike, mbase kritike mund të jetë  edhe për Serbinë e cila duhet  të pranoj në një mënyrë atë që e parasheh pakoja Ahtisari” është shprehur Beqiri.
Ndërsa fjalë të mira për këtë takim nuk kishte as analist i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti. Ai tha se takimi i parë mes dy presidentëve Jahjaga-Nikoliq, nuk ishte aq frytdhënës sa është pritur.
”BE kërkon që domosdo edhe presidenti Nikoliq në mënyrë aktive të jetë i angazhuar në dialog, por rezultatet e para nuk janë shumë premtuese, edhe pse Nikoliq ka thënë se nëse nuk shënohen rezultate konkrete, do të humb logjika e takimeve të tjera” tha Rashiti.

Ai shtoi se do të ketë takime të tjera në mënyrë që të mbahet i angazhuar presidenti Nikoliq, dhe se përpos takimeve edhe në nivel qeveritar,si  të  kryeministrave do të provohet të ketë takime edhe  të  ministrave të fushave të ndryshme.

Ndërsa veprimtari Adem Demaçi takimin mes presidentes Jahjaga dhe presidentit Nikoliq e ka quajtur vetëm takim formal dhe pa rëndësi të veçantë.

“Qëllimi i ndërkombëtarëve është që ata të takohen dhe të rrinë bashkë me Ashtonin edhe sa për të bërë foto” ka thënë Demaçi.

Sipas Demaçit edhe takimet mes Thaçit dhe Daciqit, nuk kanë arritur asnjë rezultat dhe sukses, sepse  po merren vendime vetëm gojore pa asnjë nënshkrim faktit.
”Është e pamundur të zhvillohen bisedime me Serbisë, kur ky vend gjithmonë deklaron se nuk e njeh shtetin e Kosovës” ka thënë Demaçi./InfoGLOBI/

 



Komento