Sporti i Obamas
03 / 02 / 2013, 11:07

Shtëpia e Bardhë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikuar fotografitë, të cilat shpalojnë presidentin Barack Obama duke qitur me armë. Fotografia u publikua pas pyetjes që mediat i drejtuan administratës amerikane ‘se çfarë përvoje ka Obama me armët’.
Washington: Pamja shpalon një moment nga aktivitetet e lira gjatë qëndrimit të Obamas në pushimoren presidenciale Camp David në Merilend, vjet më 4 gusht. Për media, qysh para publikimit të kësaj pamjeje, Obama kishte pranuar se ka pasur rastin të përdorë armën, por si ka shtuar ai, këtë e bëri më tepër si hobi , përkatësisht si aktivitet sportiv.
Nga fundi i vitit që shkoi kur ndodhi vrasja e 26 personave, nga të cilët 20 ishin nxënës të shkollës fillore në Newton, Obama po i prinë aktiviteteve të shumta dhe përpjekjeve për të vënë në kontroll armët, të cilat jo rrallë në SHBA mund të blehen në tregun e lirë.
Duke iu referuar politikës ndaj armëve, Obama ka shpaluar se ‘ulja e dhunës nga armët është njëra ndër çështjet e vendosura në prioritetet e tij gjatë mandatit të dytë si President’. Ai u ka deklaruar mediave se respekton traditën e amerikanëve për aktivitetet e gjuetisë apo edhe shenjëtarisë, mirëpo ka shtuar se duhet gjetur zgjidhjen që dhuna me armë të ulet sepse ajo është një realitet sot në SHBA dhe botë. prob/infoglobi





