S’jemi askund
13 / 02 / 2013, 10:08
Brukseli u tregoi të martën institucioneve të Kosovës se kanë punuar shumë pak për ta fituar liberalizimin e vizave. Zyrtarë të Komisionit Evropian thanë se autoritetet e Prishtinës, përveç tjerash, duhet ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në bazë të asaj që u tha nga evropianët, kosovarët duhet të presin gjatë për të udhëtuar lirshëm në vendet e BE-së.

Sipas delegacionit evropian, pala kosovare ende ka shumë punë për të bërë për të hyrë në listën e bardhë të Schengenit, shkruan “Express”.
Drejtori i Përgjithshëm i Punëve të Brendshme të KE-së, Stefano Manservisi, si fushën më problematike e përmendi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kjo mbetet edhe një ndër kushtet kryesore që BE ia ka vënë Kosovës në tërë procesin e integrimeve evropiane, përfshirë këtu edhe liberalizimin e vizave.
“Lufta kundër krimit të organizuar do të thotë, që të krijohen kushte për ne si BE, që të sigurohemi që liria e lëvizjes nuk përbën rrezik për sigurinë e brendshme të BE-së”, tha Manservisi në konferencën për media pas takimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës.
Ndërkohë edhe në raportin e KE-së, Kosova, respektivisht heqja e regjimit të vizave për të, paraqitet si rrezik për sigurinë e brendshme të BE-së.
Së fundi, në raport shembull tejet negativ është marrë skandali me tenderin e pasaportave në Ministrinë e brendshme.
Për këtë, pala kosovare të martën ka heshtur.
Për më tepër, Ministri i Punëve të Brendshme i është shmangur deklarimit rreth kësaj çështje. Ndërkohë që ishte Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ajo e cila foli për progres të Kosovës në drejtim të përmbushjes së kritereve të BE-së.
Ajo është shfaqur optimiste pas takimit me përfaqësuesit e KE-së sa i përket kryerjes së detyrave nga ana e Qeverisë. Por nuk ishte në gjendje të jap ndonjë datë se kur kosovarët do të mund të lëvizin lirshëm në BE.
“Jo unë nuk kam ndërmend me qit fall nuk më takon mua të flas nga ky vend për datën kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirë dhe pa viza”, tha ministrja e pyetur nga gazetarët.
E njëjta mohoi të ketë folur ndonjëherë për data. Pavarësisht se vetë ajo muaj më parë, kur Kosova morri udhërrëfyesin për liberalizim të vizave, kishte përmendur vitin 2013 si final për përmbylljen e tërë procesit.
“Brukseli merr vendimin por Prishtina duhet t’i plotësojë kushtet”, ishte porosia e zyrtarit evropian.
Ekspertë të integrimeve evropiane madje e shohin 2015-në si vitin më real të mundshëm për heqjen e vizave për kosovarët.





