Shqip   •   English   •   Srpski

Shoqëria civile shqiptare kundër Jeremiqit

10 / 02 / 2013, 15:13

Shoqëria Civile shqiptare, përmes një letre i ka kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, që të ndërhyjë për të marrë masa ndaj Presidentit të Asamblesë së Përgjithshëm të OKB-së Vuk Jeremiq. Kjo letër është nënshkruar nga drejtuesi i organizatës Forumi i Mendimit të Lirë, Mentor Kikia në datën 9 Shkurt ka mbërritur në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Z.Ban Ki Moon.

 

vuk jeremiq_2013
Në letër kërkohet që Jeremiq të kërkojë falje publike e zyrtare si dhe të japë dorëheqjen nga posti i tij si President i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, pasi lejoi që në një koncert të mbajtur me nismën e tij në OKB lejoi të luhej një pjesë muzikore nga “Marshi mbi Drin”, kolonë muzikore që shërbeu si himb ndaj masakrave në Srebrenicë.

Ky reagim vjen si pasojë e një incidenti qe sipas Shoqërisë Civile ka ndodhur më 14 Janar.

Vetë Jeremiq, thuhet në letër, ideatori i futjes së kësaj pjesë muzikore, jashtë programit zyrtar të koncertit në OKB, nuk ka kërkuar asnjë ndjesë publike e madje përmes një deklarate i ka cilësuar reagimet e shoqatave për të drejtat e njeriut dhe atyre kundër gjenocidit si dashakeqe fyerje për popullin serb.

Koncerti i 14 Janarit në OKB shkaktoi një reagim të shoqërisë civile në Bosnje dhe Kosovë, të cilët iu drejtuan përmes peticioneve Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, që të ndërhyjë për të marrë masa ndaj Presidentit të Asamblesë së Përgjithshëm të OKB-së, Vuk Jeremiq.

Organizata Forumi i Mendimit të Lirë, me mbështetjen e mbi 50 organizatave të tjera në Shqipëri, si dhe një grupi gazetarësh, i është drejtuar me një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, përmes të cilës kujton se këto veprime të z. Jeremiq nuk janë të shkëputura, por të paramenduara. Në letrën e drejtuar, zotit Ban Ki Moon kujtohet se Vuk Jeremiqi, deklaratën e parë që bëri sapo u zgjodh në krye të AP të OKB-së ishte: Tashmë Kosova do të njihet nga OKB-ja, vetëm po të kalohet mbi kufomën time”.

Jeremiq cilësohet në këtë letër si përfaqësuesi i rrymave më të errëta nacionaliste në Serbi dhe ai është një turp për vetë Kombet e Bashkuara.
Në vazhdim letra  plotë

Drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Z. Ban Ki Moon

I nderuar Shkëlqesi

Është kënaqësia jonë Shkëlqesia Juaj, që T’ju shprehim konsideratat tona më të larta për rolin, punën dhe sukseset që Kombet e Bashkuara kanë arritur nën udhëheqjen tuaj. Ne veçanërisht vlerësojmë rolin e pazëvendësueshëm të Kombeve të Bashkuara në lidhje me paqen dhe stabilitetin, si dhe për forcimin e ligjit ndërkombëtar dhe të drejtësisë.

Për fat të keq, ky rekord shembullor arritjesh është dëmtuar seriozisht nga presidenti në detyrë i Asamblesë së Përgjithshme, z Vuk Jeremiq. Që në fillim të marrjes së detyrës, z Jeremiq ka promovuar dhe ka krijuar situata të shumta, të diskutueshme dhe përçarëse, të cilat kanë kulmuar me koncertin e organizuar në 14 Janar 2013, ku pjesa famëkeqe “Marshi mbi Drin” është luajtur në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ky akt i shëmtuar është fyes dhe ofendues jo vetëm për popullin martir të Bosnjës dhe Hercegovinës, por të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, të cilët ishin viktima të luftërave të përgjakshme nga forcat serbe gjatë procesit të vështirë të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e cila kulmoi me gjenocidin në Srebrenicë, krime këto që janë kryer pikërisht nën meloditë e “Marshi mbi Drin”. Ky akt i pashembullt, i cili në realitet fyen tërë botën, krijon një njollë të rëndë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ajo na zemëron edhe më tej, kur në vend që të kërkonte falje publikisht për këtë akt pështirë, i cila është e vështirë që të pranohet edhe për popullin serb, z Jeremiq, si një fanatik i përkushtuar ideve nacionaliste të Millosheviçit, vazhdon të refuzojë të marrë përgjegjësi, ashtu siç Qeverisë së Serbisë vazhdon të bëjë hije e kaluara, duke vazhduar të mos kërkojë falje për gjenocidin, masakrat dhe dhimbjet që i ka shkaktuar popujve në rajon, boshnjakëve, shqiptarëve e kroatëve.

Akti aktual i zotit Jeremiq nuk është i izoluar dhe aksidental, por një veprim i menduar dhe paramenduar mire. Ai është vijim i deklaratave të tij famëkeqe, në kohën kur sapo mori detyrën në një mënyrë shumë të diskutueshme, si Kryetar i Asamblesë së Përgjithshme. Në një keqpërdorim flagrant dhe mosrespektim të mandatit të tij si President i zgjedhur i Asamblesë së Përgjithshme, z Jeremiq do të shpallte se: “Për sa kohë Serbia kryeson OKB-në, anëtarësimi i Kosovës në OKB, do të ndodhë vetëm kur të kalohet mbi kufomën time”. Në vend që të linte mënjanë retorikën nacionaliste dhe të dhunshme, siç ka bërë çdo kryetar i AP, Z. Jeremiq përforcoi bindshëm idenë se ai ishte krenar të përfaqësonte linjën me agresive të nacionalizmit dhe mendimet e zeza që mbizotërojnë ende në disa qarqe politike në Serbi. 

Shkëlqesia Juaj,

Tmerret e luftërave nga forcat serbe ndaj boshnjakëve, shqiptarëve dhe kroatëve, njerëzit në Ballkan vazhdojnë ti ruajnë ende të gjalla në kujtesën e tyre. Mijëra njerëz vazhdojnë të jetë të zhdukur dhe nuk kanë ende një varr, ndërsa shumë zyrtarë të lartë të ushtrisë serbe që kanë kryer këto krime janë ende të lirë. Veprimet e zotit Jeremiq, tani në pozicionin e Kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme, ngrejnë edhe me më urgjencë çështjen, që bota ka nevojë të njohë dhe pranojë plotësisht atë që forcat serbe kanë bërë në fund të shekullit të 20-të, të njohë dhe pranojë masakrat më të mëdha që bota ka parë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara është duke rritur përpjekjet e veta në forcimin e drejtësisë ndërkombëtare, ne mendojmë se nuk duhet të tolerohet që, pas këtij akti të urryer që ka ofenduar shumë njerëz dhe që dëmton rëndë reputacionin dhe imazhin e Kombeve të Bashkuara, zoti Jeremiq të vazhdojnë të kryesojnë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Në emër të shoqërisë civile dhe intelektualëve në Shqipëri, ne ju kërkojmë juve Shkëlqesi që, në përputhje me mandatin që të gjitha shtetet anëtare Ju kanë besuar, të ndikoni që zoti Jeremiq të kërkojë falje publike e zyrtare dhe të japë dorëheqjen nga posti i tij si President i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Akti i largimit të Z. Jeremiq jo vetëm do të korrigjojë njollën e krijuar në reputacionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por edhe do të shërbejë si një shembull për të gjithë ata ekstremistë dhe nacionalistë agresivë, të cilët përpiqen të abuzojnë dhe shpërdorojnë detyrat e larta që u besohen.



Komento