Rexhepi: Bankat komerciale- në situatë shqetësuese
10 / 02 / 2013, 13:10
Fundi i vitit të kaluar vërtetoj se bankat komerciale në Kosovë kanë hyrë në një situatë shqetësuese, karakterizuar me ngecje dhe me rritjen e humbjeve, kështu tha Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Strass. Siç ta ai sipas raporteve financiare të tetë bankave komerciale, të cilat sivjet kanë një metodologji tjetër dhe ofrojnë më shumë informacione për afarizmin, humbje kanë pasur tri banka, përderisa në fund të vitit 2011 asnjëra nuk ishte në minus. Humbjet e përgjithshme në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ishin 9,7 milionë euro, ose 55 për qind më të larta se në tremujorin paraprak.

Ai tha se shumë indikatorë tjerë tregojnë për ngecje, dhe se krahasuar me fundin e shtatorit kreditimi u rrit 0,2 për qind, kurse depozitat – 3 për qind. Një bankë përkundër faktit se ka mbi 38 milionë euro në depozita, asnjë cent nuk e ka në kredi.
Duke folur për kreditimin ai tha se në fund të vitit të kaluar bankat komerciale kishin kredituar me 1.590.883.000 euro, ose 0,2 për qind më pak se në fund të shtatorit. Situata do të ishte edhe më e keqe, sikur këtë përqindje mos të përmirësonin Banka Ekonomike e Kosovës (BEK), e cila kishte rritje të kreditimit 1 për qind, ndërsa ajo TEB- 10 për qind. Në rezultatin e përgjithshëm, megjithatë ndikim më të madh patën ProcreditBank (PCB) dhe Raiffeisen Bank (RBKO), të cilat zvogëluan kreditimin nga 2 për qind. Gjatë këtyre tre muajve “Komercialna Banka”, e cila operon kryesisht në veri të Kosovës nuk ka kredituar me asnjë cent. Kurse në fund të vitit 2011 bankat kishin kredituar me 1.563.507.000 euro. Sipas kësaj, për një vit kreditimi është rritur vetëm 1,7 për qind.
Ndërkaq, për depozitat, ai shpjegoi se tetë bankat komercial në depozita kishin 2.267.446.000, me një rritje 3 për qind krahasuar me fundin e shtatorit. Ndërkaq, krahasuar me dhjetorin e vitit 2011 depozitat janë 8,7 për qind më të larta.
”Rënie të depozitave kanë pasur vetëm RBKO (-2,3 %) dhe BEK (-0,1 %). Sipas kësaj gjendje del se bankat kanë “të lira” 676.563.000 euro, sa është ndryshimi ndërmjet depozitave dhe kredive. Ky ndryshim në fund të vitit 2011 ushte 535.749.000 euro”, tha Rexhepi.
Ai bëri të ditur se në fund të vitit 2012 kanë rënë edhe kërkesat nga bankat e tjera, përkatësisht plasmani I parave në bankat tjera, kryesisht të jashtme. Përderisa në shtator ato kërkonin 307.644.000 euro, bë fund të dhjetorit – 297.893.000 euro, ose 3,2 për qind më pak.
“Rritje të kërkesave nga bankat kanë pasur vetëm TEB (+47 %) dhe PCB (+3,5 %), ndërkaq për nga shuma prinë RBKO me 68.770.000 euro. Në nivel gati të njëjtë kanë mbetur edhe investimet në bono thesari dhe në letra me vlerë. Në fund të vitit të kaluar këtu kishin 256.629.000 euro, ose vetëm 0,5 për qind më shumë se në fund të shtatorit. Rritje të investimeve në këto qëllime ka pasur BEK ( 83 %), pastaj NLB (50 %), TEB (3,6 %) dhe NLB (3,0%). Shumën më të madhe e ka investuar PCB – 106.719.000 euro”, potencoi Rexhepi.
Përkundër kreditimit më të ulët, sipas Rexhepit,bankat kanë rritur dukshëm të hyrat nga interesi. Kishin 183.290.000 euro të hyra nga kjo kategori, ose 33 për qind më shumë se në fund të shtatorit të vitit 2012. Kjo tregon se për shkak të normave të larta, kryesisht në kredi, bankat komerciale po realizojnë të hyra mjaft të mira.
Nga ana tjetër, dhe shpenzimet e interesit (kryesisht interesi në depozita) kishin normë të lartë të rritje ( 34 %), ndonëse në shumë absolute janë shumë më të vogla se të hyrat – 62.064.000 euro. Përderisa në fund të shtatorit ndryshimi ndërmjet të hyrave nga interesi dhe shpenzimet e interesit ishte 91.436.000 euro, në fund të dhjetorit ai u rrit në 121.266.000 euro.
“Nga tetë banka, pesë prej tyre vitin e mbyllën me fitim prej 29.061.000 eurosh, ose 24 për qind më shumë se në fund të shtatorit. Krahasuar me fundin evitit 2011 fitimi është 9,1 për qind më I vogël. Fitimi më të madhe kishte PCB , mbi 15 milionë euro, apo 52 për qind të fitimit që shënuar pesë bankat ( në shtator- 51,6 për qind). Përderisa në fund të vitit 2011 asnjë bankë nuk kishte humbje, vitin e kaluar me minus e mbyllën tri banka. Në total humbjet ishin 9.762.000 euro, ose 55 për qind më shumë se në fund të shtatorit. Rezultate negative kishte BEK (2.929.000 euro), me një rritje 14 për qind krahasuar me shtatorin, pastaj BKT (4.988.000 euro), ose 36 për qind më shumë, ndërsa BPB (1.845.000 euro) gati se i pesëfishoj humbjet”, tha ai.
Për shkak të humbjeve nga kreditë bankat, sipas tij, është dashur që në provizone të ndajnë 50.236.000 euro, ose 34 për qind më shumë se në shtator. Rritje më të madhe të këtyre provizioneve kishte TEB ( 34 %), PCB (33 %), e cila ka edhe shumën më të lartë – 14.980.000 milionë euro dhe NLB ( 31 %).
Rexhepi, rekomandoi se duke pasur parasysh këtë situatë, bankat komerciale duhet të jenë më të kujdesshme, meqenëse as viti 2013 nuk do të jetë më i lehtë si viti i kaluar. Infoglobi





