Reagon KEK-u, nëse keni paknaqësi ankohuni
06 / 02 / 2013, 16:21

Pas lajmit se shoqëria civile ka organizuar një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar me një komunikatë për media.
“Ditëve të fundit është vërejtur një volum i madh i shprehjes së pakënaqësisë nga ana e konsumatorëve lidhur me faturat e energjisë elektrike për muajin janar. KEK sh.a. fton të gjithë konsumatorët e pakënaqur t’i drejtohen Qendrave për Konsumatorë dhe të deponojnë çfarëdo ankese që kanë dhe korporata i siguron se secila ankesë do të adresohet dhe do të shqyrtohet deri në detaje” thuhet në komunikatë.
Sipas kësa komunikatë në rast të leximit jo të rregullt apo të ndonjë gabimi në lexim apo faturim, KEK i siguron konsumatorët që do ta bëjë menjëherë korrigjimin.
KEK ka shprehur se nuk bëhet fjalë për faturim paushall, sepse faturimi kryhet çdo muaj e as për ndryshim të çmimeve, sepse ato mbesin të njëjta, për çka secili konsumator mund të bëjë krahasimin edhe vetë me faturën paraprake.
“Ndryshe, secili konsumator mund të bëjë edhe vetë verifikimin e gjendjes, duke e krahasuar gjendjen në njehsorin e tij me gjendjen e kilovatëve të shënuar në faturë” shkruhet në komunikatë.
“Ne jemi në stinën e dimrit dhe dihet se gjatë stinës së ftohtë konsumi dyfishohet. Arsye është se një pjesë e madhe e konsumatorëve po ngrohen me energji elektrike” vazhdon reagimi.
Prandaj, KEK kërkon që konsumatorët të kenë kujdes në shpenzimin e energjisë elektrike, duke e evituar në maksimum ngrohjen me energji elektrike si një alternativë shumë e shtrenjtë, në mënyrë që të mos vije deri tek situatat e tilla./InfoGLOBI/





