Shqip   •   English   •   Srpski

Qeveria të kushtëzojë marrëveshjet me Serbinë

04 / 02 / 2013, 9:47

qeveriaQeverisë së Kosovës i është tërhequr vërejtja për kujdes.


Një ditë pasi përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ka paralajmëruar se dy javët e ardhshme të këtij muaji janë vendimtare në dialogun politik me Serbinë, i cili po zhvillohet në Bruksel Qeverisë së Kosovës i është tërhequr vërejtja.

Dy subjektet më të mëdha në opozitë: Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja “Vetëvendosje” një marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për autonomi të veriut të Kosovës e kanë parë si shkelje të rëndë.

Të shtunën, në Konferencën e 49-të të sigurisë, e cila është mbajtur në Munich të Gjermanisë, baronesha Ashton i ka cilësuar dy javët e ardhshme kryesore në dialogun që po zhvillohet në Bruksel. “Në punën tonë ne kemi udhëtuar në Ballkan në mbështetje të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dhe unë dua të çmoj trimërinë e atyre në Prishtinë dhe në Beograd që kanë lënë mënjanë historinë për t’u bashkuar”, është shprehur ajo. “Dua t’u them të gjithëve se dy javët e ardhshme do të jenë thelbësore”.

Tashmë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, kanë marrë ftesa nga Ashton për një takim në Bruksel më 6 shkurt, ku do t’i jepet mbështetje dialogut, ndërkaq dialogu do të vazhdojë me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me atë të Serbisë, Ivica Daqiç më 22 shkurt.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë të dielën se Qeveria e Kosovës duhet t’i përmbahet Rezolutës së Kuvendit të Kosovës në dialog me Qeverinë e Serbisë, shkruan Koha Ditore.

“Marrëveshje për autonomi të veriut të Kosovës nuk mund të ketë, ngase ajo do të ishte shkelje e rëndë. Pozicionet dhe qëndrimet e delegacionit të Kosovës janë të parapara me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe me sistemin juridik të ndërtuar në vend”, ka thënë ai. “Delegacioni kosovar duhet që t’i përmbahet Rezolutës së Kuvendit dhe nëse dilet jashtë saj, atëherë bëhet shkelje e vullnetit të Kuvendit dhe të Kushtetutës së Kosovës”.

Gashi nuk e ka përjashtuar mundësinë që rëndësia e dy javëve që vijnë të ndërlidhet me fillimin e negociatave të Serbisë me BE-në. “Për Serbinë është kusht që të ketë raporte të mira me Kosovën për t’u krijuar mundësitë për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë. Në këtë kuptim me këtë mund të ndërlidhet deklarimi i Ashtonit se dy javët e ardhshme janë thelbësore për dialogun”, ka thënë ai.

Ndërkohë, drejtuesi i Sekretariatit për media dhe komunikim në lëvizjen “Vetëvendosje”, Erzen Vraniqi, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës daljen nga dialogu. Sipas tij, hapi i parë drejt një autonomie për veriun veç është marrë, me marrëveshjen për “Fondin zhvillimor për veriun”, me ç’rast të ardhurat nga dogana në pikat 1 dhe 31 do të derdhen në fond të veçantë për veriun. “‘Rëndësia’ e takimeve të radhës ka të bëjë me legjitimimin e këtyre strukturave dhe vënies së një kornize politike veprimit të tyre, me ç’rast institucionet e Kosovës përfundimisht nuk do të kenë kurrfarë qasjeje atje. Kur flitet për fondin zhvillimor duhet përmendur se ekzistenca e tij e ka shkelur Ligjin për financa publike dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Kosova përmes këtij dialogu po bëhet gjithnjë e më pak funksionale, gjithnjë e më pak shtet normal, kurse veriu po i afrohet Serbisë gjithnjë e më shumë, e kjo e fundit gjithnjë e më shumë po i afrohet Brukselit”, ka thënë Vraniqi. “Prandaj institucionet e Kosovës duhet të tërhiqen menjëherë nga ky dialog dhe të punojnë në ushtrimin e sovranitetit në tërë territorin e vendit, në të kundërtën konsekuencat e koncesioneve që do të detyrohen t’i bëjnë rrezikojnë ta bëjnë Kosovën shtet jofunksional e rrjedhimisht edhe të dështuar”.

Vraniqi është shprehur që subjekti ku ai është anëtar e ka tërhequr vërejtjen gjithnjë, që dialogu është i padrejtë dhe i pabarabartë dhe është në shërbim të afrimit të Serbisë me BE-në e në dëm të Kosovës. “Përmes dialogut ‘teknik’, Serbia e fitoi statusin e vendit kandidat, kurse përmes dialogut politik me Thaçin, Serbia ka për synim datën e nisjes së negociatave për integrim në BE”, ka thënë ai.

Ndërsa Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka porositur Qeverinë e Kosovës që të mos ketë nguti për arritjen e marrëveshjeve me Serbinë. “Përfaqësuesit e Kosovës duhet që të mos lejojnë nguti të panevojshme në marrëveshjet e ardhshme me Beogradin dhe të kenë konsultimin substancial dhe lejen e Kuvendit për një gjë të tillë. Në këtë aspekt, Qeveria e Kosovës duhet ta kushtëzojë çdo marrëveshje të ardhshme me Serbinë me shpërbërjen e strukturave paralele dhe me vendosjen e qeverisjes efektive në veriun e Kosovës. Baronesha Ashton dhe Qeveria e Kosovës duhet ta kenë të qartë që çështjet substanciale nuk lejohet të dialogohen me Serbinë pa pasur transparencë dhe konsultim legjitim me të gjithë akteret në Kosovë”, ka thënë ai. “Një marrëveshje e ardhshme nuk duhet kurrsesi të përfshijë çështjet e brendshme të Kosovës”.

Sipas Korenicës, është e qartë që BE-ja e ka vendosur dialogun Kosovë Serbi në indikatorin e suksesit të politikës së saj të jashtme. “Arritjen e rezultateve të shpejta në këtë dialog BE-ja po tenton ta lidhë me ‘shpërblimin’ e Serbisë në rrugën e hapjes së negociatave për anëtarësim (meqë Serbisë i është ratifikuar në tërësi MSA-ja nga të gjitha shtetet anëtare) dhe ‘shpërblimin’ e Kosovës me fillimin e negociatave për MSA-në në mbledhjen pranverore të Këshillit të BE-së. Nuk ka dyshim që fituesi më i madh në rrugën integruese po del të jetë Serbia, duke e shfrytëzuar dialogun me Kosovën si levë për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian”, ka thënë ai. “Nuk duhet harruar që kushti themelor për Serbinë në hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, sipas strategjisë së zgjerimit, është dialogu me Kosovën”.

Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë dashur që të përgjigjen.



Komento

ankara escort Porno hikaye