Qeveria përgatitet për riformatim
07 / 02 / 2013, 9:00

Së shpejti ekzekutivi i vendit do t’i nënshtrohet një procesi riformatimi.
Burime të gazetës Koha Ditore kanë treguar të mërkurën se një vlerësim i performancës së anëtarëve të Kabinetit qeveritar është në proces dhe se javën e ardhshme do dihet më saktë se kush nga anëtarët e ekzekutivit do të shkojë në shtëpi.
Mundësia e riformatimit të shpejtë të Qeverisë i është komunikuar gazetës prej dy ministrash dhe një këshilltari të kryeministrit Hashim Thaçi.
Një ministër ka thënë se procesi i ndërrimeve në Kabinet do të ndodhë kur të bëhet emërimi i ministrit të ri të Financave, pozitë kjo e lënë bosh prej javësh, kur ka paraqitur dorëheqjen ministri Bedri Hamza, para se të konkurronte për postin e guvernatorit të Bankës Qendrore. Paralelisht këtij zhvillimi, ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, pati kaluar nga Koalicioni për Kosovë të Re (KKR) që e drejton Behgjet Pacolli, në Partinë Demokratike (PDK) të kryeministrit Thaçi. Për rezultat, dy partnerët e koalicionit janë në proces negocimi për të kompensuar këtë kalim me një ministri për subjektin që drejton Pacolli.





