Shqip   •   English   •   Srpski

Pse ngulfatet klima e biznesit !

07 / 01 / 2011, 10:35

dollar

Në krahasimin e programeve zgjedhore të partive politike, tek disa më pak e tek disa më shumë është elaborauar “krijimi i ambientit të favorshëm për investime” por e gjithë kjo mbetet në letër. Nëse do të vazhdohet me praktikat e emërimit të Ministrave të cilët nuk do të kenë vullnetin dhe fuqinë vendimmarrëse për të jetësuar ato çfarë është shkruar në letër.

Shkruan: Myesere HOXHA-LAMAXHEMA

Raporti i Bankës Botërore, ‘Te besh biznes 2011’ rendit Kosovën të 118 nga 183 ekonomi botërore dhe krahasuar me vitin e kaluar Kosova jo vetëm qe nuk e ka përmirësuar pozicionin e saj në renditjen e përgjithshme por, e ka përkeqësuar atë duke zbritur gjashtë vende më poshtë.

Kjo tregon se në Kosovë nuk ka pasur reforma thelbësore për përmirësim të biznesit gjatë këtij viti. Për rrjedhojë Kosova jo vetëm që nuk e ka përmirësuar pozitën e saj por, e ka përkeqësuar duke zbritur për gjashtë vende nga 2010 dhe për dymbëdhjetë vende nga 2009. Me këtë rast krahasuar vetëm me Bosnje dhe Hercegovinën si vendin më pak të zhvilluar në rajon, e cila vitin e kaluar ka qenë e radhitur tri vende më poshtë Kosovës, ne vitin 2011 ajo e ka kaluar për nëntë vende, gjë që rrjedhimisht e renditë Kosovën të fundit në rajon në këtë aspekt.

Ky raport i Bankës Botërore trajton rregullat dhe kriteret, të cilat mbështesin aktivitetin biznesor dhe ato që e ndalojnë atë. I njëjti përmban kryesisht elemente mikro-ekonomike që përfshijnë hapat thelbësorë për të ushtruar aktivitetin e biznesit respektivisht kriteret, të cilat ndikojnë në ciklin jetësor të biznesit, siç janë: hapja e biznesit, sigurimi i lejes së ndërtimit, regjistrimi i pronësisë, pagesa e tatimeve, marrja e kredisë, tregtia me jashtë, mbrojtja e investitorëve, legjitimiteti i kontratave dhe mbyllja e biznesit.

Në rastin e Kosovës, raporti përmend vështirësitë e procedurës për hapjen e bizneseve dhe atë e argumenton me faktin se duke e zëvendësuar numrin e tatimit me numrin fiskal gjatë regjistrimit të biznesit është zgjatur koha e regjistrimit të biznesit në 58 ditë, pasi që kjo kërkon që administrata tatimore së pari të inspektojë objektin e biznesit.

Sipas Bankës Botërore Kosova ka avantazhe në procedurat e thjeshtuara dhe kohën e shkurtër të mbylljes së biznesit gjë që konsiderohet si përparësi në përgjithësi por, edhe në raport me disa vende në rajon si Shqipëria, e cila është e radhitur e fundit në këtë raport. Gjithashtu edhe në kategorinë e marrjes së kredisë dhe pagesës së taksave Kosova është radhitur në mesin e 30-40 të parave nga ekonomitë botërore dhe këtë e mbështetë edhe fakti i rregullimit të sektorit financiar dhe administratës tatimore të Kosovës.

Kjo nuk do të thotë se edhe në këta sektorë nuk ka nevojë për reforma.

Problematike mbesin mbrojtja e investitorëve dhe marrja e lejeve të ndërtimit për të cilat Kosova radhitet e 173, e ku për një leje ndërtimi duhet të pritet deri në 320 ditë dhe për këtë duhet të paguhet një çmim që është sa 8.5 herë e të ardhurave mesatare për frymë.

Njëra ndër pengesat kryesore për biznesin sipas Bankës Botërore është legjitimiteti i kontratave për të cilat Kosova radhitet e 155 ne botë. Funksionimi i mirë i gjykatave do të ndihmonte biznesin të zgjërojë rrjetin dhe tregun e tyre. Pa fuqizim efektiv te kontratave njerëzit mund të bëjnë biznes vetëm me ata të cilët kanë vendosur marrëdhënie shumë të mira. Reformat e suksesshme gjyqësore do ta rrisin efikasitetin dhe do të kursejnë kohën. Për të legjitimuar një kontratë në Kosovë kërkohen 420 ditë dhe shpenzime shtesë, për të cilat kërkohen 53 procedura. Krahasuar me vendin më të vështirë për të legjitimuar kontrata, që sipas këtij raporti është Brunei me 58 procedura, Kosova nuk qëndron shumë larg. Mes Bruuneit, të cilësuar si vendi më i keq për legjitimim kontratash, dhe Kosovës, janë vetëm tri vende nga 183 ekonomi botërore në të cilat u bë matja.

A duhet te zbulohet rrota që të përmirësohet kjo klima në Kosovë? Reformat e vazhdueshme dhe zbatimi i qasjes e bazuar në ciklin e Demingut (Plan-Do-Check-Act) janë çelësi i vetëm për të dalë nga kjo situatë. Kosova ka nevojë që këtë qasje ta rrënjosë në çdo zhvillim procesi. Çdo indikator i mësipërm duhet të konsiderohet si një proces dhe të planifikohet, të zhvillohet, të kontrollohet dhe të veprohet dhe, prapë të planifikohet dhe vetëm duke e zbatuar këtë qasje atëherë mund të thuhet se janë krijuar rrethanat për të zhvilluar një Strategji për zhvillim e biznesit që do të mundësojë tërheqjen e investimeve.

Në shumë hapa mund të inkorporohen krijimet e platformave elektronike të cilat në masë të madhe e lehtësojnë procesin dhe e reduktojnë koston e tyre. Megjithatë, mbetet të ndryshohet edhe praktika e krijimit të infrastrukturës ligjore. Fillimisht duhet të ndryshohet qasja “copy past” e rregullativave dhe legjislacionit. Në këtë aspekt duhet të fokusohemi në nevojat reale dhe specifike të vendit tonë.

Ata te cilët janë të angazhuar në draftimin e ligjeve dhe në përcaktimin e rregullave e të standardeve në këtë fushë, duhet vazhdimisht të kenë ndër mend, se ato duhet ti shërbejnë krijimit të një klime lehtësuese për biznesin. Në aspektin e legjitimitetit të kontratave, ekonomitë në të gjithë rajonin i kanë kushtuar rëndësi legjitimitetit të kontratave në këto 7 vitet e fundit.

Gjykatat mund të përmirësohen në disa mënyra. Vendet e zhvilluara kanë përmirësuar këto procese duke përmirësuar efiqiencën përmes zbatimit të teknologjive të reja, kurse vendet më pak të zhvilluara shpesh angazhohen në reduktimin e punëve të pambaruara duke zbatuar shqyrtime periodike për të pastruar rastet joaktive dhe duke i shpejtuar procedurat.

Por, fatkeqësisht duke pasur informacionin se projekte të asistencës teknike për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë janë kthyer me arsyetimin se nuk ka pasur pronësi, vë në dyshim kapacitetin e institucioneve tona për të zbatuar reformat e nevojshme në këtë aspekt.

Megjithatë, prapë se prapë mund të themi se gjithçka mund të realizohet nëse ekziston vullneti. E atëherë shtrohet pyetja, si mund ta dijmë ‘ a ekziston ky vullnet ’ !

Duke pasur aktualisht një qeveri në dorëheqje dhe duke pasur parasysh se sapo kaluam zgjedhjet parlamentare mundësia e vetme për të vlerësuar ‘ekzistimin e vullnetit’ është të analizojmë programet e partive politike dhe se çfarë ofrojnë ato në krijimin e një klime të mundësuese për bizneset.

Në krahasimin e programeve zgjedhore të partive politike, tek disa më pak e tek disa më shumë është elaborauar “krijimi i ambientit të favorshëm për investime” por e gjithë kjo mbetet në letër nëse do të vazhdohet me praktikat e emërimit të Ministrave të cilët nuk do të kenë vullnetin dhe fuqinë vendimmarrëse për të jetësuar ato çfarë shkruhet ne letër.

Analiza e mësipërme tregon se me çfarë ballafaqohen bizneset vendore ekzistuese dhe çfarë mund të sheh ndër ne çdo investitor potencial. Kështu që, sa i përket investitorëve potencial, mbetet të themi se të vetmit investitor në Kosovë do të jenë ata qe do të marrin këtë vendim në bazë të ‘dashurisë’ që kanë për vendin tonë.



Komento