Protestuesit KEK-ut: Jeni HAJNA !
08 / 02 / 2013, 12:42
Prishtinë: Disa qindëra protestues vazhduan sot protestën e tyre kundër ‘faturave’ të fryera nga Korporata Energjetike e Kosovës. Rruga Fushë Kosovë – Prishtinë është e bllokuar prej hyrjes në Kryeqytet e deri te qendra. Përkundër mllefit të madh, deri në këto caste nuk janë regjistruar incidente.
Në ditën e dytë të protestës, ndoshta të parës me karakter social pas sa e sa vitesh, prishtinasit po vazhdojnë të shprehin pakënaqësinë ndaj shtrenjtimeve të rrymës. Shume nga ta besojnë se KEK ka fryrë në mënyrë artificiale faturat e energjisë dhe kërkojnë verifikimin e tyre.
Aktualisht qindëra protestues i fryejnë filikaqeve dhe po brohorisin fjalët “HAJNA, HAJNA’ dhe po kërkojnë shkarkimin e stafit menagjues të KEK-ut.
Zyrtarët e KEK-ut dje kanë mohuar akuzat për ‘fryerje faturash’ dhe kanë insistuar që aparatet për shpenzimin e energjisë janë lexuar në mënyrë korrekte.
Media sociale këto ditë është e mbushur me fotografi faturash të qytetarëve, të cilët pohojnë se cmimi që u erdhi të paguajnë për energjinë e shpenzuar është dukshëm më i lartë se ajo që ata kanë shpenzuar .
Njësitet policore po përkujdesen për rendin. Deri tani nuk janë regjistruar incidente dhe nuk është e qartë nëse kërkesat e qytetarëve do të mirren parasyshë. Protestuesit theksojnë se do të vazhdojnë me protestat derisa kërkesat e tyre të realizohen./infoglobi/f.h.






