Profecia që parashikon fundin e Vatikanit
13 / 02 / 2013, 17:25
Pas bestytënisë së parealizuar të kalendarit maja, që parashikonte fundin e botës në 21 dhjetor 2012, është një profeci e re ajo që vendoset në qendër të vëmendjes së të gjithë atyre që i besojnë.

Megjithatë, këtë radhë nuk bëhet fjalë për fundin e planetit tonë, por vetëm për fundin e Selisë së Shenjtë të Vatikanit, periudhë që do të pasohet nga një epokë e “errët trazirash” dhe mungese stabiliteti deri në fillimin e shekullit të ardhshëm.
Shën Malahi, arkipeshk irlandez i Armaghvit, i konsideruar i shenjtë prej kishës, jetoi në vitet 1094-1148 dhe besohet se kishte fuqi të shikonte të ardhmen dhe ai ka lënë shumë profeci të shkruara gjatë jetës së tij.
Në vitin 1139, kleriku udhëtoi në Romë, ku pa një vizion të së ardhmes, të cilin e përshkroi në një dorëshkrim të kohës, shkruan TCH.
Sipas parashikimit, pas papës së 112-të, i cili do të jetë i ardhshmi, Vatikani do të pushojë së ekzistuari.
Kjo profeci është tepër e njohur në rrethet kishtare dhe për më tepër parashikon që papa i fundit do të jetë një “Papë i Zi”.
Profecia, e bërë në një shekull kur Evropa dhe veçanërisht Irlanda nuk njihnin njerëz me ngjyrë, është edhe më goditëse duke pasur parasysh që pretendenti kryesor për të pasuar Benediktin XVI konsiderohet të jetë pikërisht kardinali ganez, Peter Turkson.
Sipas vargjeve të shkruara nga Shën Malahi, “qyteti i shtatë kodrave (siç njihet ndryshe Roma) do të shkatërrohet dhe një gjykatës i pamëshirshëm do të ulet mbi njerëzit pas Papës së Zi”.





