Shqip   •   English   •   Srpski

“Pranvera arabe” pa ndikim në njohjen e Kosovës

09 / 02 / 2013, 9:39

qeveria tek rilindja foto alban ramadani infoglobi

Rreth gjysma e shteteve anëtare të Organizatës se Bashkëpunimit Islamik ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

 

Shkaku i kësaj, në gjashtë javët e para të 2013-s, zyrtarët kosovarë kanë zhvilluar shumë takime me përfaqësues vendesh që përbëjnë këtë organizatë, por edhe Ligën Arabe. Shtete që u janë përmbysur regjimet diktatoriale nëpërmjet “Pranverës arabe”, vetëm kanë krijuar mundësinë e kontakteve, por akoma ndonjëri prej tyre nuk ka deklaruar njohjen e pavarësisë. Diplomatë e njohës të rrethanave arabe kanë vlerësuar se kjo ndodh për faktin se ato vazhdojnë të ruajnë marrëdhëniet ekonomike dhe politike të hershme me bllokun socialist, veçanërisht me Federatën Ruse.

Egjipti, një nga vendet më me ndikim në Lindjen e Mesme, ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. “Pranvera arabe” ka prekur edhe këtë shtet afrikan, duke përmbysur regjimin e Hosni Mubarakut që mbante lidhje të forta me Rusinë, por lidershipi i ri nuk e ka dhënë ende verdiktin për njohjen, ndonëse ka krijuar mundësinë e kontakteve me përfaqësuesit shtetërorë kosovarë, shkruan Koha Ditore.

Këtë javë, kryeministri Hashim Thaçi ka qëndruar për dy ditë radhazi në Kajro, kryeqytet i Egjiptit, si pjesëmarrës në Samitin e dymbëdhjetë të Konferencës Islamike. Ka shkuar me ftesë të presidentit të Egjiptit, Mohamed Morsi. Ka pasur një takim me të dhe, duke u bazuar në një komunikatë shtypi të Qeverisë, “presidenti Morsi premtoi se Republika Arabe e Egjiptit do ta njohë Republikën e Kosovës shumë shpejt”.



Komento