Policia arrestoi 6 sulmues vetëvrasës të dyshuar
04 / 02 / 2013, 11:00

Policia e Afganistanit thotë se i ka arrestuar gjashtë persona, të cilët i akuzon se kanë planifikuar ndërmarrjen e sulmeve vetëvrasëse me bomba.
Udhëheqësi i lartë i policisë në kryeqytetin Kabul, Mohammad Daoud Amin, i tha Radio Evropës së Lirë, programi për Afganistanin, se policia i kishte konfiskuar gjashtë jelekë, që mund të përdoren për sulme vetëvrasëse, dhe afro 50 granata e armë, gjatë arrestimit të të dyshuarve në Kabul, ditën e shtunë.
Zoti Amin tha se hetuesit ende nuk i kanë mësuar caqet e mundshme të këtyre sulmuesve.
Po zhvillohen hetime edhe për identifikimin e këtyre personave.





