Përfundon protesta
07 / 02 / 2013, 13:11
E plotësuar: Protesta kundër ngritjes së çmimeve të faturave elektrike ka përfundar pak minuta më parë.
Protesta ka qenë e qetë dhe ka zgjatur një orë.

Protestuesit paknaqësitë e tyre i kanë shprehur nëpërmjet pankartave dhe fishkëllimave.
“Hajnat në burg”, “Oferë speciale merr kredi për rrymë”, “Kam shpi jo fabrikë”, “Hajnat paskan vnu kreavata” ishin disa nga shkrimet që shkruheshin në pankartat e qytetarëve.
Ndërsa Visar Ymeri, i cili është Kryetar i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, i ka shkruar një letër Korporatës Energjetike të Kosovës.
Në letër thuhet:
“Në përputhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me kushtetutë po ju drejtohem me këtë letër për të kërkuar nga ju informata dhe sqarime në lidhje me çmimet dhe faturimet e rrymës elektrike për qytetarët gjatë fundit të vitit të kaluar dhe janarit të vitit 2013. Këto ditë kemi pranuar shumë ankesa nga qytetarët mbi lartësinë e çmimeve dhe faturave të energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës, e që për shumicën e qytetarëve kanë qenë të papërballueshme.
Ne si deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës disa herë kemi ngritur zërin rreth veprimeve të fundit në sektorin e energjisë, posaçërisht duke kundërshtuar privatizimin e distribucionit KEDS, pikërisht duke ju referuar rëndësisë strategjike të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim kemi kundërshtuar edhe rritjen e vazhdueshme të çmimeve për qytetarët të cilët në gjendje të rëndë ekonomike tani po përballen me fatura e çmime edhe më të larta.
Në kuadër të këtij kundërshtimi, gjatë ditëve dhe javëve në vijim, ne si deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të ndërmarrim disa iniciativa për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve të brengosur nga trendet e fundit në lidhje me çmimet dhe faturat.
Prandaj, në afat sa më të shkurtër nga ju kërkojmë informatat në vijim:
1.Të gjitha rritjet e çmimeve të energjisë elektrike sipas tarifave gjatë pesë viteve të fundit.
2. Të gjitha rritjet e planifikuara të çmimeve të energjisë elektrike për këtë vit, posaçërisht ato të cilat janë dakorduara me Konsorciumi Çalik-Limak në kontratat e padrejta të privatizimit.
3. Shuma totale e faturuar e energjisë elektrike për dy vitet e fundit, të ndara sipas muajve, dhe shuma mesatare e faturuar për konsumator individual shtëpiak për dy vitet e fundit të ndara sipas muajve, përfshirë këtu edhe muajin janar të vitit 2013.
4.Projektin dhe koston e instalimit të orëve të reja të regjistrimit të rrymës elektrike dhe mënyrat e financimit të këtij investimi.
Ju përkujtojmë se këto informata jeni të obliguar të na i dërgoni edhe sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, jo më larg se 7 ditë nga parashtrimi i kërkesës nga ana jonë”./InfoGLOBI/
Fillon protesta kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike
Ka filluar protesta kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Protesta është organizuar nga shoqëria civile dhe është një nga protestat e rralla ku qytetarët protestojnë për çështje sociale.
Protesta është duke u mbajtur para Korporatës Energjetike të Kosovës.
Në protestë po marrin pjesë qindra persona dhe ata po mbajnë edhe parulla kundër “fryerjes” së çmimeve që kanë hasur në faturat e janarit.
Protestat deri në këto qaste janë të qeta dhe pa ndonjë incident. Protestuesit po shprehin paknaqësitë edhe me fishkëllima./InfoGLOBI/





