Përfundoi takimi Thaçi – Daçiq
18 / 01 / 2013, 2:14

Fakti se Brukseli por edhe liderët kanë shpaluar pak detaje rreth asaj se çfarë u bisedua konkretisht të enjtën në Bruksel, lë për të kuptuar se jo të gjitha çështjet janë finalizuar dhe se për disa sosh do të ‘bisedohet intenzivisht’ në takimet e ardhshme trilaterale, Kosovë, Serbi e BE, nga të cilat ai i radhës do të mbahet në shkurt.
Bruksel: Në Bruksel ka përfunduar rundi i katërt i bisedimeve ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Takimi që kishte filluar rreth orës 20 ka përfunduar pas mesnatës, por edhe pas përmbylljes së tij nuk janë shpaluar shumë detaje përkitazi me atë se çfarë konkretisht u bisedua dhe për çka janë pajtuar kryeministrat e dy vendeve të armiqësuara tash e sa vjet.
Shefja e Politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, e cila ndërmjetëson bisedimet tha nëpërmjet një komunikate për opinion se “diskutimet ishin të gjata dhe konstruktive”. Sipas saj ‘kryeminstrat Thaçi e Daçiq janë dakorduar të takohen për bisedime intenzive sërish në muajin shkurt’.
“Gjatë shkurtit ne shpresojmë se do të shënohet progres sinjifikantë për çështjet e identifikuara në konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Europian në dhjetor 2012″, ka thënë Ashton.
Ashton ka shtuar se në takimin e së enjtës Kryeministri i Kosovës dhe homologu i tij nga Serbia janë dakorduar në mënyrë provizore se si do të mbledhen pagesat, përfshirë këtu ato për tatimin në vlerë të shtuar , në katër vendkalimet kufitare në të cilat ka filluar zbatimi i menagjimit të integruar të kufirit (IBM).
Pas takimit , Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci, ka thënë se ‘është arritur marrëveshja përfundimtare për doganat dhe tash e tutje ato do të paguhen njësoj në të gjitha vendkalimet kufitare’. Sipas tij ‘pala serbe ka marrë përsipër që të punojë për mënjanimin e strukturave paralele në veriun e Kosovës’. Para nisjes në Bruksel, Thaçi kishte paralajmëruar se ‘ka ndërmend të krijojë një fond të veçantë për veriun’.
Bruime në Bruksel kanë deklaruar për Info Globin në kushte anonimiteti se ‘para takimit Thaçi -Daçiq grupet punuese të Kosovës e Serbisë kanë përafruar qëndrimet sipas të cilave një pjesë e mjeteve financiare të grumbulluara në vendkalimet kufitare ku po zbatohet IBM t’i shkojnë komunave në veri, kurse pjesa tjetër do të derdhet në buxhetin e Kosovës’. Burimet e njejta kanë përjashtuar mundësinë e dhënies së çfarëdo autonomie për veriun, por kanë nënvizuar se si pjesë e modeleve europiane të decentralizimit, ‘të gjitha komunat, përfshirë këtu edhe komunat e veriut të saj, do të kenë autonomi më të madhe buxhetore nga institucionet qendrore’.
Sipas të gjitha gjasave mjetet e grumbulluara në veri do t’i mbesin komunave në veri kurse mjetet e grumbulluara në vendkalimet e tjera do të derdhen automatikisht në buxhetin e Kosovës, ka thënë ky burim, i cili nuk ishte i sigurtë nëse mjetet e komunave në veri do të barten në komuna përmes buxhetit të konsoliduar të Kosovës, a do të derdhen direkt në buxhete komunale apo mbase do të krijohet një forme e tretë e transakcioneve financiare – deri tash e re për Kosovën. Ajo që dihet, është se në agjendën e bisedimeve të së enjtës ka qenë progresi i shënuar deri më tash nga marrëveshjet e dala gjatë takimeve të mëhershme dhe veriu.
Fakti se Brukseli por edhe liderët kanë shpaluar pak detaje rreth asaj se çfarë u bisedua konkretisht të enjtën në Bruksel, lë për të kuptuar se jo të gjitha çështjet janë finalizuar dhe se për disa sosh do të ‘bisedohet intenzivisht’ në takimet e ardhshme trilaterale, Kosovë, Serbi e BE, nga të cilat ai i radhës do të mbahet në shkurt. /infoglobi/E.B





