Për kosovarët viza e Schengenit nuk vlen në Kroaci
12 / 02 / 2013, 9:48
Shtetasit kosovarë, që kanë vizën Schengen, prej fillimit të këtij muaji, nuk mund të kalojnë nëpër Kroaci as si udhëtarë transit, pa e pasur vizën kroate.

Zbatimin e këtij qëndrimi të autoriteteve kroate për “Kohën Ditore” e kanë konfirmuar disa udhëtarë kosovarë, që të hënën nuk ishin lejuar të kalonin si udhëtarë transit nëpër Kroaci, ndonëse në pasaportat e tyre kishin viza të vlefshme Schengen. Ndërkohë, gazeta e ka konfirmuar lajmin edhe nga burime zyrtare kroate. Deri më tash shtetasit me viza Schengen kanë mundur të udhëtojnë lirshëm nëpër territorin kroat, kurse tash e tutje ata duhet të pajisen me viza kroate. Autoritetet kroate, në prag të anëtarësimit në BE, me sa duket, kanë ashpërsuar regjimin e vizave edhe ndaj vendeve të tjera.





