Shqip   •   English   •   Srpski

OSHP-ja favorizon kompaninë e palicencuar

14 / 02 / 2013, 9:44

kek

Tenderi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për furnizim me energji emergjente për periudhën janar-dhjetor 2013, është kthyer në rivlerësim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), pas ankesës që ka bërë në këtë të fundit kompania zvicerane Energy Financing Team (EFT).

OSHP-ja ka kthyer në rivlerësim këtë tender të KEK-ut prej rreth 3 milionë euro, edhe pse kompania EFT, e cila e ka bërë ankesën në OSHP nuk është e licencuar në Kosovë për tregti me energjetikë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Në vendimin e OSHP-së thuhet se kompania zvicerane EFT në ankesën e bërë më datë 08.01.2013, pretendon se dokumentet e paraqitura në ofertën e saj janë të barasvlefshme me licencën për tregti, e kërkuar nga autoriteti kontraktues në dosjen e tenderit, me arsyetimin se shteti zviceran nuk lëshon licenca për shkak të rregullimit të brendshëm ligjor, transmeton Zëri.

“Eksperti shqyrtues është autorizuar me datë 11.1.2013 për ekzaminimin e këtij aktiviteti te prokurimit, ndërsa për shkak të pretendimit ankimor eksperti në fjalë ka kërkuar edhe ndihmën e një eksperti teknik për të konstatuar se dokumenti në fjalë a është i barazvlefshëm me licencë për tregti me energji.

Me datë 28.01.2013 dorëzon raportin e ekspertizës lidhur me konstatimet se ky aktivitet i prokurimit duhet të vazhdohet për shkak se eksperti teknik vjen në përfundim se dokumenti në fjalë nuk është i barazvlefshem me licencë, pasi që ky dokument i prezantuar tregon vetëm të dhëna për operatorin ekonomik dhe veprimtarinë e tij”, thuhet në raportin e OSHP-se.

Por, me këtë vlerësim nuk janë pajtuar përfaqësues të kompanisë EFT.

Gjatë seancës, e cila është mbajtur në OSHP përfaqësuesi i kompanisë EFT ka thënë se ai nuk pajtohet me ekspertizën e ekspertëve, pasi siç ka thënë ai edhe në të kaluarën, por edhe tani kompania EFT në çdo tender në Kosovë ka marrë pjesë me të njëjtin dokumentacion.

Ai më tej ka thënë se sipas kontratës mars-prill të vitit 2012 në të cilën kompania EFT ka marrë pjesë e ka prezantuar te njëjtin dokumentacion, ndërkaq, sipas tij, të njëjtat dokumente tash trajtohen si jovalide për ketë aktivitet të prokurimit.

Gjatë seancës përfaqësuesi i Operatorit Ekonomik ankues po ashtu e ka llogaritur si te gabuar hapin nga ekspertët që kanë kontaktuar me zyrën Zvicerane te Energjisë, pasi qe sipas tij secili kanton ka përgjegjësitë e veta.

“Ne si operator ekonomik kemi kontaktuar me Ambasadën Zvicerane në Prishtine dhe si mbështetje ata na kanë dhëne një dokument, i cili në mënyre eksplicite tregon se ekstrakti është i barazvlefshem me licencë tregtimi për energji”,ka thënë ai në seancën e OSHP-së.

Paneli Shqyrtues, duke u bazuar në konstatimet dhe rekomandimet e ekspertit shqyrtues,

pas shoshitjes se provave në seancën dëgjimore si dhe duke u bazuar në të gjitha provat

shkresore, si dhe duke pasur parasysh shkresën e Ambasadës Zvicerane ku thuhet se ekstrakti nga regjistri komercial e zëvendëson një licencë tregtare, konstatoi dhe vlerësoi se pretendimet e OE ankues janë të qëndrueshme dhe të bazuara dhe

njëkohësisht vjen në përfundim se KEK-u duhet të rivlerësojë ketë aktivitet të prokurimit në pajtim me dispozitat e prokurimit publik.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Viktor Buzhala, thotë se për të marrë pjesë në tender është kërkesë e prerë e ZRRE-së që të gjitha kompanitë nga të cilat importohet energjia elektrike duhet të jenë të licencuara në ZRRE. Sipas tij, KEK-u është i detyruar të veprojë strikt në bazë të rregulloreve nga ZRRE, pra që kompanitë konkurrente që nuk kanë licencë për import të lëshuar nga ZRRE të mos i pranojnë si oferta valide.

“Për më tej, në rast të mosrespektimi të kësaj kërkese ZRRE-ja mund të mos aprovojë shpenzimet e atij importi të energjisë në të hyrat e lejuara dhe mund të dënojë edhe personin zyrtar që ka autorizuar atë import. Si rrjedhojë për rastin specifik, pas marrjes se informatës nga ZRRE-ja, OE në fjalë është eliminuar nga vlerësimi i tenderit, pasi që është konstatuar se dokumenti i prezantuar në dokumentacionin tenderues nuk është i barasvlershëm me licencën e kërkuar nga ZRRE OSHP ka konstatuar të kundërtën, pra që kompania në fjalë ka licencë të vlefshme”,tha ai.

Sipas Buzhalës, këtu kemi të bëjmë me vendime kontradiktore në mes të dy institucioneve, përkatësisht OSHP-se në njërën anë dhe ZRRE-se në anën tjetër.

 

Ai tha se KEK-u nuk ka të bëjë asgjë me këto vendime, por janë institucionet përkatëse qe duhet të harmonizojnë vendimet në mënyrë qe t’i lejohet KEK-ut të procedojë tutje.



Komento