Lluka, drejtor “i skaduar” i AKP-së
14 / 02 / 2013, 9:08
Kur Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte shpallur konkurs për drejtor menaxhues, kishte specifikuar se mandati i të zgjedhurit është dy vjet.

Këtij konkursi i ishte nënshtruar Shkelzen Lluka dhe kishte dalë fitues. Posa Bordi i Drejtorëve të AKP-së kishte vendosur për të, në janar të vitit 2011, Lluka kishte pranuar një e-mail nga Departamenti i Resurseve Njerëzore se kohëzgjatja e kontratës së punës ishte në përputhje me konkursin. Ky konkurs parashihte që më 26 janar të këtij viti, Lluka të mos ishte më drejtor.
Por kanë kaluar gati tri javë që Lluka vazhdon ta drejtojë APK-në si drejtor menaxhues, ani se Departamenti Ligjor i kësaj agjencie i ka dhënë një interpretim se pas 26 janarit nuk është më drejtor. Kompetent për të vendosur për kontratën e tij është Bordi i AKP-së, të cilit i ka dalë mandati prej 7 muajsh dhe nuk po zgjidhen anëtarët e rinj të tij.
Mirëpo, Lluka insiston se ka mandat. Këtë e ka bazuar në një interpretim që ka dhënë Ministria e Administratës Publike, i cili është krejt i kundërt me atë të Zyrës Ligjore të AKP-së si dhe një mendim këshillues i tre anëtarëve ndërkombëtarë të Bordit të AKP-së.





