Krasniqi ka gjasa të jetë përsëri sekretar
09 / 02 / 2013, 18:01
Po bëhen gati dy javë që është bërë publik Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës i dalë nga vota e fshehtë në Konventën e Gjashtë Zgjedhore.

Megjithatë, ende nuk është mbledhur ky Këshill për ta zgjedhur Kryesinë e re të partisë. Zyrtarët e PDK-së, thonë se javën e ardhshme do të konstituohet Këshilli Drejtues, ndërsa, do të vendoset se kur do të zgjidhet Kryesia.
Kadri Veseli, Hajredin Kuçi dhe Zenun Pajaziti janë tre emrat që kanë dalë më të votuarit nga Konventa e Gjashtë Zgjedhore e PDK-së. Nëse do të merrej parasysh fuqia e votës, këta do duhej të ishin pjesë e Kryesisë së ngushtë të partisë, të përbërë nga Sekretari i Përgjithshëm dhe nënkryetarët.
Burimet e Radio Kosovës brenda PDK-së, thonë se kryetari i partisë, Hashim Thaçi do ta marrë parasysh renditjen e Këshillit Drejtues, por gjithsesi do të ketë parasysh edhe emrat me të cilët PDK-ja është identifikuar vazhdimisht që nga themelimi i saj, e të cilët janë më poshtë në renditjen e Këshillit Drejtues për nga numri i votave.
Sekretari organizativ i zgjedhjeve në PDK, Basri Musmurati tha se shpeshherë ka ndodhur që renditja që është bërë me votë, nuk ka reflektuar domosdoshmërisht edhe në formimin e piramidës udhëheqëse të partisë. Megjithatë, sipas tij, vota në Konventë është një matës për Kryesinë.
“Piramida vjen gjithnjë duke eliminuar kuadro të ndryshëm dhe vijnë kinse më të mirët, më të preferuarit e të tjerë. Është njëfarë barometri edhe kjo”, tha ai.
Ditëve të fundit, mediat kanë dalë me informacione të ndryshme për zgjedhjen e Kryesisë së PDK-së, duke përfshirë Kadri Veselin si nënkryetar të parë kurse Hajredin Kuçin si Sekretar të Përgjithshëm. Mirëpo, sipas Musmuratit, të gjitha këto janë vetëm kalkulime të mediave. Ai nuk e përjashton mundësinë që Jakup Krasniqi të zgjedhet sërish Sekretar i Përgjithshëm i partisë.
“Unë do të tentojë që ai nëse është i interesuar të kandidohet dhe të zgjedhet”, tha Musmurati.
Gjithsesi, Kryesia e re e PDK-së, nuk do të zgjidhet as javën e ardhshme, për faktin se, siç tha Musmurati, Këshilli Drejtues ende nuk është konstituar. Musmurati tha se javën që vjen pritet të konstituohet Këshilli prej 155 anëtarësh dhe pastaj do të vendoset se kur do të zgjidhet Kryesia e partisë.





