Shqip   •   English   •   Srpski

Krasniqi: Jahjaga i di kompetencat kushtetuese

04 / 02 / 2013, 17:38

jakup krasniqi

Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, nuk ka dashur të flasë rreth kompetencës së presidentes për t’u takuar me homologun e saj serb.

Krasniqi ka thënë pas mbledhjes së Kryesisë se beson që presidentja e di mirë se ç’është në mandatin e saj. “Presidentja ka Zyrën Ligjore dhe ajo duhet t’i tregojë se çfarë është në kompetence të saj, e çfarë jo. Gjithçka dhe funksionimi i secilit institucion është i përcaktuar me kushtetutë”, citon ktv-ja të ketë thënë  Krasniqi.
Ndërkohë, LDK-ja është shprehur pro këtij takimi, megjithëse, pa rezultate. “Derisa është në post, ajo është presidente, nuk shohim asnjë të keqe që të ketë takime, por vështirë se do të ketë rezultate. Megjithatë, takimet nuk duhet të jenë jashtë mandatit të saj dhe Kushtetutës”, është shprehur shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, duke shtuar se nëse Jahjaga ka se çfarë të raportojë, atëherë le ta bëjë këtë pas takimit në Kuvend.

Ndërkohë kundër është Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila vlerëson se ”Jahjaga, si presidente e zarfit, nuk mund ta përfaqësojë Kosovën dhe unitetin e popullit”. ”Ky takim është drejtpërsëdrejti falje e krimeve që ka kryer Serbia në Kosovë, por edhe pranim i qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës”, ka thënë Visar Ymeri nga VV-ja.
Kryesia ka vendosur që seanca e radhës e Kuvendit  të mbahet më 7 shkurt.



Komento