Shqip   •   English   •   Srpski

KMDLNj takoi kryetarin e Prishtinës

12 / 02 / 2013, 14:41

Sot përfaqësues të KMDLNj-së takuan kryetarin e Komunës së Prishtinës Isa Mustafa me të cilin biseduan për disa çështje që qytetarët i kanë adresuar në KMDLNj e që janë nën përgjegjësi të komunës së Prishtinë apo që komuna mund të ndihmojë në zgjedhjen e tyre.

isa mustafa
KMDLNj i përcolli kryetarit Mustafa shqetësimet e qytetarëve për mungesën e hapësirës për parkim të automjeteve dhe për gjobat e shqiptuara nga policia si dhe konfiskimin e automjeteve për shkak të parkimit në hapësira të ndaluara.

KMDLNj i propozoi kryetarit Mustafa që në qytet të mos ndërtohen mbikalime (si ai te Shkolla e Mjekësisë) por nënkalime sepse janë më funksionale.

Gjithashtu u diskutua edhe për rregullimin e shesheve në Prishtinë dhe vërejtja e KMDLNj ishte se shumë pllaka janë të dëmtuara si dhe se nuk janë vendosur si duhet. U bisedua edhe për rastet sociale përkatësisht ndërtimin e banesave për kategorinë sociale dhe të pastrehë. Kohë më parë KMDLNj i pati propozuar Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale ta zhvendosë Shtëpinë e Pleqve në një lokacion ku ka hapësirë më të madhe sepse ekzistuesi nuk i plotëson kushtet për trajtimin e personave të moshuar. Edhe pse kjo nuk është kompetencë e komunës kryetari Mustafa u angazhua se në bashkëpunim me MPMS mund të diskutojnë t’i ndahet një lokacion në Lagjen Prishtina e Re.

Kohëve të fundit KMDLNj është vërshuar nga qytetarët që kërkojnë dëshmi me të cilën duan të përfitojnë status material për shkak  të pësime fizike dhe të tjera par dhe gjatë luftës në Kosovë prandaj u diskutua për modalitetin e bashkëpunimit në këtë fushë.

Dhe në fund zyrtarë të KMDLNj-së ia rikujtuan kryetarit Mustafa kërkesën e Kishës Protestante Shqiptare për ndarjen e një lokacioni për varreza dhe objekt për ushtrimin e lirë të fesë. Këtë kërkesë Kisha Protestante Shqiptare e ka dorëzuar edhe në KMDLNj kohë më parë duke kërkuar përkrahje në realizimin e të drejtave të tyre të përcaktuara me ligj.

Kryetari i Prishtinës Isa Mustafa premtoi se do të ndërmarrë veprime në kuadër të kompetencave të tij dhe të komunës në përmbushje të kërkesave dhe shqetësimeve të qytetarëve të Prishtinës duke kërkuar nga KMDLNj bashkëpunim dhe informata në të mirë të qytetarëve të Prishtinës.



Komento