Shqip   •   English   •   Srpski

KMDLNj kërkon përgjegjësi nga KEK-u

09 / 02 / 2013, 13:37

Protesta, KEK

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar lidhur me protestat që popullsia civile ka mbajtur për dy ditë me radhë kundër ‘fryrjes’ së faturave të KEK-ut.

“Revolta e qytetarëve të Prishtinës e shprehur përmes protestave dyditore para zyrës qendrore të KEK-ut për fryrjen e faturave të muajit janar është vetëm një pikë në gotën e mbushur plotë abuzime dhe korrupsion në këtë kompani publike” shprehet KMDLN-j përmes një komunikatë për media, duke shtuar se ky këshill disa herë ka reaguar më parë për shkak të diskriminimeve që u ka bërë kjo korporatë konsumatorëve të saj.

KMDLNj kërkon nga organet kompetente që të ndërmarrin veprimet e menjëhershme duke hetuar rastet e fryrjes së faturave, çmimit të importimit të energjisë elektrike, trajtimit diskriminues të konsumatorëve në baza etnike, dëmtimit të qëllimshëm të pronës publike dhe kontratat e dëmshme me Ferronikelin dhe distributorët tjerë.

KEK-u nuk ka të drejtë morale e as materiale të ndërpresë furnizimin me energji elektrike deri sa nuk shqyrtohen ankesat e konsumatorëve për faturat e kontestuara.

KMDLNj konstaton se KEK me këto veprime seriozisht po e rrezikon gjendjen ekonomike të qytetarëve të Kosovës edhe ashtu të rrënuar.

KMDLNj shprehet sepërkrah protestat e qytetarëve ndaj KEK-ut duke kërkuar përgjegjësi si dhe e kundërshton rritjen e paralajmëruar të energjisë elektrike.

KMDLNj kërkon nga qytetarët e Kosovës t’i shlyejnë borxhet për shpenzimet që i kanë bërë ndërsa gjithashtu kërkon që për kategoritë e përfshira në skemat sociale që borxhet e tyre të mbulohen nga Qeveria e Kosovës pavarësisht përkatësisë së tyre etnike./InfoGLOBI/



Komento