Shqip   •   English   •   Srpski

I pret burgu

06 / 02 / 2013, 9:27

familja sopaBlerim Isufaj ka kërkuar nga tridhjetë ditë paraburgim për tri të dyshuarat për vrasjen e Hamdi Sopës.

Bashkëshortja dhe dy vajzat e tij dyshohen se e vranë atë ku më pastaj e kanë hedhur nga ballkoni për t’u dukur si vetëvrasje. Prokurori i rastit, Blerim Isufaj, tha se ato dyshohen për vrasje të rëndë në bashkëveprim. Të mërkurën paradite, Teuta Sopa dhe të dy bijat e saj pritet të dalin para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili do të vendosë për masën e paraburgimit.

“Kam kërkuar paraburgimin e të dyshuarave. Ato dyshohen se në bashkëveprim me njëra tjetrën e kanë kryer këtë vrasje të rëndë”, tha Isufaj për Express.

Prokurori i Prokurorisë Themelore nuk sqaron nëse të dyshuarat kanë pranuar se e kanë kryer krimin e as nuk sqaron për motivet e mundshme të kësaj vrasjeje.

Por një ditë më herët dha urdhër për arrestimin e tyre, pasi pranoi raportin zyrtar të autopsisë nga Mjekësia Ligjore. Sipas raportit, i ndjeri Hamdi Sopa nuk e ka vrarë veten e as nuk ka kërcyer nga ballkoni siç kishin deklaruar tashmë të dyshuarat.

Raporti i autopsisë që iu bë të ndjerit ka rezultuar se ai ka pasur tri therje me thikë në trup para se të hidhej nga ballkoni në katin e nëntë.

Këto therje dyshohet se janë bërë nga njëra nga vajzat e tij e ku pastaj në bashkëveprim me nënën dhe motrën tjetër e kanë hedhur trupin e të ndjerit nga ballkoni për t’u dukur si vetëvrasje. Por policia kishte dyshimet e para se Sopa ishte vrarë pasi nën makinën për larje të rrobave në banjë ishte gjetur një thikë e mbështjellë me nën-këmishën e të ndjerit, që e kishte pasur veshur në momentin e sulmit. Të dyshuarat pas humbjes së vetëdijes së viktimës ia kishin ndërruar bluzën e gjakosur dhe ia kishin veshur një tjetër, në mënyrë që pas hedhjes së tij nga ballkoni të mos vërehen gjurmët e gjakut. “Viktima ka pasur veshur një bluzë tjetër, e cila dyshohet se i është hequr për ta veshur një tjetër të pastër”, tha një burim i gazetës nga policia.

Para se të humbiste vetëdijen Sopa ishte munduar të vetëmbrohet, pasi edhe prerjet në njërën shuplakë të dorës tregojnë rezistencën e tij ndaj të dyshuarave. Një burim nga Mjekësia Ligjore ka thënë për Express se përveç plagëve me thikë i ndjeri e ka pasur edhe një lëndim në kokë, e që sipas ekspertëve është bërë me një mjet të fortë.

Kjo e ka shtyrë prokurorin që të urdhërojë bastisjen e banesës ku ka jetuar i ndjeri me familje për ta kërkuar mjetin me të cilin është lënduar. Policia ka bastisur edhe banesën ku jetonin në lagjen “Aktash” në Prishtinë, por nuk sqarojnë nëse kanë gjetur diçka. E në hyrje të kësaj banese që nga dita kur ka ndodhur rasti mbretëron një heshtje e frikshme. Lëvizjet janë të rralla, ndërkaq fqinjët janë shokuar me atë që ka ndodhur. Më shumë i ka trishtuar fakti se fqinji i tyre dyshohet se u vra nga familjarët. Në derën e banesës numër 79 në katin e nëntë ku jetonin familja Sopa gjenden të varura vetëm faturat e rrymës dhe ujit, të cilat zyrtarisht nuk janë në emër të Hamdi Sopës. Nuk dihet nëse ata e kanë blerë banesën nga dikush tjetër apo e kanë marrë me qira, por në fatura si pronar figuron personi me emrin Elez Zejnullahu.

Teuta Sopa, profesoreshë në Departamentin e Kimisë në UP dhe dy vajzat ndodhen në Qendrën e paraburgimit në Prishtinë.

Të tria janë arrestuar të hënën nga policia në banesën e tyre si të dyshuarat e vetme të vrasjes. Zëdhënësi Agron Borovci tha se njëherë përnjëherë vetëm këto janë të dyshuara për vrasjen e Hamdi Sopës.

Zyrtari për informim në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës ka vdekur më 29 janar në rrethana të dyshimta në lagjen “Aktash të kryeqytetit”. Fillimisht policia e kishte cilësuar si vrasje të dyshimtë, ku pas raportit mjekoligjor është konstatuar se i ndjeri ishte vrarë me thikë.

Bashkëshortja dhe vajzat ndërkaq kanë deklaruar gjatë marrjes në pyetje se familjari i tyre është vetëvrarë duke u hedhur nga ballkoni. Teuta Sopa kishte thënë para hetuesve se bashkëshorti i saj kishte dalë në ballkon për të pirë cigare,  ku edhe ka kërcyer nga kati i nëntë. Njëjtë kanë deklaruar edhe dy vajzat e saj.



Komento