Gripi i tmerrshëm
12 / 02 / 2013, 9:27
Dy nga katër personat e prekur me gripin e derrave (A/H1N1) janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ata po mjekohen në Klinikën Infektive. Sipas drejtorit Shemsedin Dreshaj, të sëmurit janë nën asistencë të aparateve. Gripi i njëjtë dyshohej se ka prekur edhe katër gjilanas, derisa analizat e tyre dolën negative.

Gripi që ka vërshuar botën ka marrë hov edhe në Kosovë. Virusi A/H1N1, i njohur si gripi i derrave, po vazhdo të jetë prezent në vendin tonë. Në Klinikën Infektive të QKUK-së janë të shtrirë katër pacientë me këtë virus, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kështu të paktën kanë thënë të hënën mjekë të kësaj infektive. Drejtori i Klinikes Infektive, Shemsedin Dreshaj, thotë se situata në Kosovë sa i përket gripit H1N1 është nën kontroll, megjithatë katër pacientë i janë nënshtruar kujdesit intensiv.
“Janë edhe katër pacientë në trajtim e sipër, të cilët janë të konfirmuar dhe janë edhe tre të tjerë të cilët janë në konfirmim e sipër”, ka thënë Dreshaj. E sipas tij dy nga katër personat që janë të infektuar me këtë virus janë në gjendje të rëndë shëndetësore “Ne i kemi dy pacientë në gjendje të rëndë, mirëpo për momentin ata janë nën asistencë të aparateve dhe janë nën përkujdesje dhe nuk mund të jap kurrfarë prognoze se si do të shkojë puna”, ka pohuar ai Dreshaj.
E situatë jo fort e mirë paraqitet të jetë edhe në qytetet e tjera. Edhe në Gjilan janë plot katër pacientë që dyshohet se janë infektuar me virusin, që vetëm këtë vit në Kosovë ka marrë dy jetë njerëzish. Xhevat Demiri shef i repartit të Infektologjisë tha për rajonipress se në repartin që ai e drejton janë të shtrirë katër pacientë që dyshohej se ishin me AH1N1. Por fatmirësisht doli e kundërta, shkruan Express.
Pas verifikimit të analizave fatmirësisht këto raste janë kthyer negative dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Demiri tha se ka shtim jashtë mase të pacientëve me gjendje gripoze. Sipas tij rasti i parë i prekur me AH1N1 e që ishte nga Komuna e Vitisë ishte i shtrirë pikërisht në repartin e infektives në Gjilan.
“Pasi u verifikuan analizat u pa se ai ishte i atakuar me gripin e derrave dhe përfundoi në mënyrë fatale në Klinikën Infektive në Prishtinë”, tha Demiri. Sipas tij janë edhe katër raste të shtrira në repartin e infektivës në Gjilan e që dyshohej se mund të ishin prekur me AH1N1, por pas verifikimit të analizave laboratorike u pa se ato rezultuan fatmirësisht negative.
“Tani gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe ata edhe për një kohë do të trajtohen me medikamente në spitalin e Gjilanit”, tha Demiri.
Drejtori i Infektivës në Gjilan tha se nuk ka nevojë për panik e as për shqetësim sepse gjithçka është nën kontroll. “Ne i kemi të gjitha mundësitë profesionale dhe teknike për ta diagnostikuar shpejt sëmundjen. Kemi kushte laboratorike të cilat shpejt e identifikojnë burimin dhe shkaktarin e sëmundjes, vetëm duhet që rastet të lajmërohen me kohë “ tha Demiri.
Por, Demiri ka një shqetësim tjetër që lidhet me gjendjen gripoze tek moshat e reja. Sipas tij ditëve të fundit ka një shtim jashtë mase të pacientëve me gjendje gripoze, grip ky që përshkruhet me vjellje, ethe, temperaturë, dhimbje muskulore, humbje e oreksit etj. Demiri tha se ky grip i atakon të gjitha moshat e fëmijëve dhe të moshuarit që vuajnë nga sëmundjet kronike, pulmonare dhe kardiovaskulare. Prandaj ai apelon tek të gjithë qytetarët që rastet me gjendje gripoze mos t`i fshehin, por në rastin e parë të paraqiten tek mjeku më i afërt.
“Kur sëmundja fshihet, atëherë edhe diagnostikimi i vonshëm është i pasuksesshëm”, tha Demiri.
Sidoqoftë, këto janë rastet e fundit që janë paraqitur në Kosovë me këtë virus, që ndryshe quhet edhe gripi i derrit. Deri më tani në Klinikën Infektive janë evidentuar 54 raste më virusin AH1N1 dhe dy nga ta kanë përfunduar me vdekje. Gripi vdekjeprurës u paraqit në Kosovë në vitin 2009 duke marrë një jetë, kurse rasti i fundit ishte shënuar në vitin 2011. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, prej vitit prillit të vitit 2009 e deri në gusht të vitit 2010, në mbarë botën AH1N1, që shkurt njihet edhe si gripi i derrit, u mori jetën gjithsej 18 mijë e 500 njerëzve.
Gripi i ashtuquajtur i derrit (Swine Flu) është një sëmundje që atakon sistemin respirator dhe e shkakton virusi i tipit A (H1N1), që origjinën e ka nga derrat. Gripi H1N1 ka simptomat e ngjashme me gripin e zakonshëm. Përzierje, vjellje dhe diarre janë të zakonshme. Gripi H1N1 duket që zhvillohet në mot shumë më të ngrohtë sesa në mot zakonisht të ftohët në të cilin gripi i zakonshëm lulëzon.





