Shqip   •   English   •   Srpski

GGD: Synojmë zvogëlimin e varfërisë dhe vdekshmërisë së foshnjave

07 / 02 / 2013, 16:46

GGD dhe UNKT

Organizuar nga UNKT-ja sot  u mbajt debat me temën: “Të ndërtojmë të ardhmen, vizioni Kosova 2015“.

Në këtë  takim u diskutua për objektivat e zhvillimit të mileniumit (OZHM) dhe rolin e Kosovës në përmbushjen e këtyre objektivave.

Osnat Lubrani, udhëheqëse e UNDP-së me këtë rast tha: “ Ne e kemi shtyrë Kosovën të jetë pjesë e 52 vendeve që janë pjesëmarrëse OZHM-së”.

Ajo shtoi se  Zyra Gjenerale e OKB-së ka përfshirë Grupin e Grave Deputete të Kosovës në këto Objektiva.

Ju, tha në vijim Lubran,  keni rastin t’i paraqitni synimet  tuaja dhe të kontribuoni në hartimin e objektivave Globale. Duke iu drejtuar GGD-së, ajo po ashtu nënvizoi  se ato kanë mundësi të kontribuojnë  që raporti  për Kosovën i cili do të dërgohet në OKB të jetë pozitivë.

“Ju duhet të tregoni se çfarë dëshiron populli i Kosovës në te ardhmen, të bëni konsultime si në nivelin lokal , ashtu edhe qendrorë” tha Lubran.

Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Teuta Sahatqija,  falënderoi Lubran  për angazhimin e sajë që edhe Kosova të përfshihet në   agjendën për  arritjen e objektivave të mileniumit.

“GGD  synon në zvogëlimin e varfërisë, analfabetizmit, vdekshmërisë së foshnjave, sëmundjeve ngjitëse, etj.  dhe mund të them se ka zhvillime por duhet bërë akoma më shumë, tha Sahatqija.

Sahatqija, në vijim vuri në dukje rëndësinë e  aprovimit të rezolutës së Prishtinës  nga  Parlamenti, e cila parasheh që deri në 2050 të arrihet përfaqësimi gjinor 50% me 50% në të gjithë sektorë dhe në të gjitha nivelet. Kjo, tha në vijim ajo,  le të shërbej si kontribut drejt përmbushjes së objektivit të tretë të mileniumit  dhe motivim që edhe vendet e tjera ta bëjnë këtë. Kurse si kërkesë, nga GGD-ja, ajo paraqiti përmbushjen e objektivit të tetë të mileniumit që Kosovës t’i mundësohet liria e lëvizjes.

Deputetja Aurora Bakalli ngriti çështjen e shëndetit, veçanërisht të foshnjave dhe grave si dhe nevojën e ngritjes së cilësisë së arsimit. Kurse deputetja Lirie Kajtazi, foli për çështjen e  resurseve dhe shfrytëzimit të përgjegjshëm të tyre.

Nora Sahatqija  nga UNKT-ja, ndërkaq njoftoi se kanë  bërë hulumtime, ku fatkeqësisht Kosova është vendi më i varfër i regjionit dhe detyrë e jona është t’i  identifikojmë, definojmë dhe të përpiqemi të gjemë zgjidhje të problemeve të shumta që ka Kosova.



Komento