Thursday , 24 July 2014
INFO GLOBI
Home > LAJME > ‘Gati ndarja e re territoriale e Shqipërisë’

‘Gati ndarja e re territoriale e Shqipërisë’

Brenda katër viteve të ardhshëm Shqipëria pritet t’i nënshtrohet një ndarjeje të re territoriale të vendit. Pasi ka fituar 83 mandate në Kuvendin e ri, e majta i ka mundësitë të arrijë të miratojë ndryshimet në ndarjen administrative, që kërkojnë shumicë të cilësuar.

 

edi_ramaDo të mjaftonte vetëm një deputet nga partitë e djathta, dhe e majta do të arrinte të plotësonte kuorumin e nevojshëm prej 84 deputetësh. Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, u shpreh dje se për një menaxhim më të mirë të territorit, nevojitet edhe një ndarje e re administrative .
“Planet e ashtuquajtura rregulluese që janë ndërtuar brenda përbrenda qyteteve, aty ku janë ndërtuar, kanë rezultuar krejtësisht të padobishme në funksion të përmbajtjes së këtyre flukseve që kanë ardhur nga jashtë qytetit dhe që janë stabilizuar rreth e rrotull qytetit. Kjo ka rezultuar fatale qoftë për ndërtimet pa leje, qoftë përsa i përket planeve ose mosplaneve të komunave kufitare. Është një sfidë jo e jona, por besoj është një sfidë e gjithë klasës politike sot, e gjithë përfaqësuesve të popullit shqiptar në parlament, për t’i dhënë më në fund jetë reformës territoriale, e cila duhet të çojë në shkurtimin drastik të numrit të njësive vendore në funksion të situatës krejtësisht të re që kemi në vend, pavarësisht politikës, pavarësisht qeverisë”, u shpreh Rama.
Por, ndarja e re administrative, vështirë se do të pranohet pa kushte nga e djathta, edhe pse nuk ka fuqi bllokuese. Ndarja administrative përcakton edhe të ashtuquajturin numër tek apo çift të tyre, i cili i ka sjellë humbje deputetësh së majtës, veçanërisht në jug ku mund të merrte më shumë deputetë. Numri i lartë i njësive vendore, veçanërisht për zgjedhjet e përgjithshme, rrit edhe mundësinë e blerjes apo të ndikimit familjar në rezultatin e zgjedhjeve.

Ekzistenca e listave zgjedhore të fryra, si pasojë e mbajtjes së një regjistri të fryrë të gjendjes civile, kryesisht në zonat rurale, është në themel të një manipulimi tjetër që përcakton numrin e deputetëve të çdo qarku dhe të njësive vendore. Shqipëria sot qeveriset në nivel vendor nga bashkitë, të cilat menaxhojnë përgjithësisht zonat urbane dhe nga komunat, të cilat menaxhojnë zonat rurale.

Komento Ketu

Leave a Reply

Scroll To Top