EULEX kërkon bashkëpunim për sundim të ligjit
11 / 02 / 2013, 15:23
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, tha se Kosova ka shënuar përparime në të gjitha fushat dhe është e përkushtuar për të vendosur rendin dhe ligjin në gjithë territorin e saj, kurse Shefi i EULEX-it, zotëri Bernd Borchardt, tha se EULEX-i do të vazhdojë të përkrahë rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së, dhe se mirëpret që bashkërisht të avancohet sundimi i ligjit në tërë Kosovën.

Të dy bashkëbiseduesit i bënë këto komente në një takim të përbashkët në Prishtinë.
E para e vendit, Jahjaga tha se institucionet dhe gjithë shoqëria në Kosovë po dëshmojnë se janë të përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për këtë duhet edhe një bashkëpunim i ngushtë me misionin e EULEX-it.
“Kosova po përmbush kriteret dhe standardet e nevojshme për liberalizimin e vizave për qytetarët e saj dhe për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që qartëson edhe më shumë perspektivën e saj evropiane”, tha ajo.
Presidentja Jahjaga vlerësoi punën e misionit të BE-së në fushën e sundimit të ligjit dhe ndihmën që ai po i jep institucioneve të vendit në fushën e drejtësisë dhe të policisë.
Kurse shefi i EULEX-it, zotëri Bernd Borchardt, theksoi se ka marrë detyrën e re i përkushtuar për të ndihmuar në përmbushjen e misionit, edhe pse ai tha se nuk i nënvlerëson sfidat para tij.
Ai tha se EULEX-i ka një bashkëpunim shumë të mirë me institucionet e Kosovës, dhe popullin e Kosovës, duke shtuar se misioni do të vazhdojë të arrijë rezultate.
“EULEX-i do të vazhdojë të përkrahë rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së, dhe se mirëpret që bashkërisht të avancohet sundimi i ligjit në tërë Kosovën, përfshirë këtu edhe me Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, i krijuar dhe që udhëhiqet nga Presidentja Jahjaga”, tha Borchardt. InfoGlobi





