Shqip   •   English   •   Srpski

Diaspora, faktori i tretë i zhvillimit në vend

05 / 02 / 2013, 15:43

tryeza

Përkundër faktit që kriza globale ka kapluar një numër të madh të BE-së, ku jetojnë një numër mjaftë i madh i mërgimtarëve tanë, megjithatë mërgata jonë vazhdon të jetë një nga kontribuuesit më të mëdhenj jo vetëm në ekonominë familjare, por edhe në buxhetin e Republikës së Kosovës. Mirëpo, fatkeqësia e krejt kësaj është se 97 për qind e këtyre të hyrave shfrytëzohen për konsum, e të cilat nuk investohen në Kosovë, por shkojnë në vendet tjera.

Kështu u tha në e raportin “Hulumtime dhe Analiza për tërheqjen e investimeve nga diaspora”, që u prezantua nga Instituti “Riinvest”, e i cili është realizuar me iniciativë dhe propozim të Ministrisë së Diasporës.

Në këtë tryezë u diskutuan arritjet e Qeverisë së Kosovës në krijimin e lehtësirave për investime nga diaspora, por edhe u venë në pah mangësitë legjislative dhe barrierat që po pengojnë investitorët e huaj, por edhe diasporën shqiptare që të investojnë në Kosovë.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë në krijimin e kushteve sa më të favorshme, në mënyrë që legjislacioni në Kosovë të jetë në pajtueshmëri me nevojat e zhvillimit të vendit dhe të jetë i atillë që të stimulohen dhe të joshen investimet në veçanti nga ana e diasporës.

Drejtori i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, ka thënë se diaspora është faktori i tretë i zhvillimit ekonomik në vend, pas sektorit privat dhe shpenzimeve qeveritare, por ka shtuar se këto investime të diasporës po orientohen në vende jo të duhura.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ka thënë se diaspora e Kosovës nuk po trajtohet si duhet nga isntitucionet e vendit dhe se atyre nuk po u krijohen kushtet e duhura për të investuara në Kosovë.

Për AKB-në shqetësues mbetët fakti që mbi 90 për qind e produkteve që konsumohen nga qytetarët e vendit janë prodhime të huaja.

Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, falënderoi ministrinë e Diasporës për një hap të tillë, duke thënë se tryeza shërbejnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai po ashtu foli edhe për rolin që ka luajtur diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si para edhe pas luftës.

Zeka ka thënë se duhet rritur vetëdija dhe edukimi i njerëzve që pranojnë remitancat, se si ato mund të shfrytëzohen në mënyrë më të mirëfilltë për të gjeneruar mjete të mëtutjeshme, e jo të përfundojnë vetëm për konsum.

Problemet në fushën legjislative kanë bërë që investimet nga jashtë, sidomos nga diaspora të tkurren dhe të mos jenë ato që i dëshirojmë të gjithë. Prandaj institucionet e vendit duhet urgjentisht të rishikojnë infrastrukturën ligjore që ka të bëjë me lehtësirat në fushën e të bërit biznes, duke hequr barrierat të cilat po vështirësojnë dukshëm bizneset në Kosovë.

Amendamentimi i Kodit për doganat dhe akcizat, amendamentimi i Rregullores për kushtet e përgjithshme për furnizim me energji elektrike, amendamentimi i Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, amendamentimi i Ligjit për tregti të jashtme, si dhe amendamentimi i Ligjit për ndërtim janë disa nga rekomandimet që kanë dal nga ky hulumtim.

Ndërsa në këtë hulumtim janë paraqitur edhe përvojat e vendeve të rajonit lidhur me joshjen e investimeve të huaja, duke përfshirë edhe diasporën, transmeton botasot.

Diaspora dërgon remitanca nëpërmjet disa kanaleve, duke përfshirë ato institucionale, si bankat komerciale dhe agjencitë për transferim të mjeteve, si dhe nëpërmjet kanaleve joinstitucionale.

Sipas një ankete të bërë nga UNDP-ja, nga remitancat, prej atyre që investojnë , 59.8 për qind blejnë patundshmëri për përdorim personal, 23.3 për qind investojnë në biznes familjar, 7.1 për qind blejnë patundshmëri për ta lëshuar me qira dhe 5.6 për qind investojnë në sektorin e shërbimit.



Komento