Shqip   •   English   •   Srpski

Çka po flet Presidentja ?

09 / 02 / 2013, 9:58

atifete jahjaga

Atifete Jahjaga po vazhdon t’i mohojë problemet në pjesën veriore të vendit.

Shefja e shtetit tha se çështja e Veriut nuk ekziston, pikërisht në kohën kur Baronesha Ashton njoftoi se Kosova dhe Serbia kanë filluar të merren me këtë temë. Analistët pohojnë se do të ishte tragjedi nëse Presidentja nuk e di se çka po flet.

Pavarësisht se asnjëri prej udhëheqësve të shtetit të Kosovës nuk mund të shkojë dhe të vizitojë lirshëm pjesën veriore, Presidentja Atifete Jahjaga po e mohon se ka probleme serioze në këtë pjesë të shtetit, shkuan gazeta Express.

Madje, në Veri edhe doganierët shkojnë në pikat kufitare përmes transportit ajror, ndërsa institucionet e shtetit nuk janë funksionale.

Megjithëkëtë, Atifete Jahjaga të premten nga Brukseli ka thënë se nuk ekziston problemi i Veriut dhe në të njëjtën kohë e ka mohuar që për këtë temë të jetë biseduar në takimin që ka pasur të mërkurën me Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikolic.
Gjatë një bashkëbisedimi me disa shqiptarë që jetojnë në Belgjikë, Jahjaga ka lënë të kuptohet se tema e Veriut është diçka e shpikur, shkruan Express.

“Ajo (Jahjaga) tha se nuk është diskutuar për, siç cilësohet, “veriun e Kosovës” sepse nuk ka çështje të tillë. Pjesa veriore e territorit të Republikës së Kosovës, tha Presidentja Jahjaga, duhet t’i rikthehet normalitetit me vendosjen e sundimit të ligjit dhe rendit dhe me heqjen e strukturave ilegale paralele do të mundësohet mbajtja e zgjedhjeve të lira lokale, mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, ku qytetarët serbë do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legalë e legjitimë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.



Komento