Bukoshi dhe Tolaj, më shantazhuan
14 / 02 / 2013, 9:15
Pronari i “Jona Med” ka rrëfyer në gjykatë për shantazhet që ia kanë bërë Bujar Bukoshi dhe Ilir Tolaj. Atij i është thënë se sa të jenë ata në Ministri, asnjëherë nuk do të fitojë ndonjë tender. “Më parë ka me mbet Kosova nën Serbi se ti me marrë tender sa të jem unë këtu”, citon Bekim Deshishku fjalët e Ilir Tolajt.

Bekim Deshishku, pronar i kompanisë farmaceutike “Jona Med”, ka fajësuar ish ministrin e Shëndetësisë, Bujar Bukoshin dhe ish-sekretarin e kësaj ministrie, Ilir Tolajn, për shantazh ndaj familjes së tij. Dëshmia e tij është e para në procesin gjyqësor ndaj Bukoshit, Tolajt dhe dhjetë të akuzuarve tjerë.
Pronari i “Jona Med” u përgjigj në pyetjet e prokurorisë dhe të avokatëve të të pandehurve. Pyetjes së avokatit Besnik Berisha, që mbron ish-zëvendëskryeministrin se a ka pasur telashe ai apo familja e tij me Deshishku është përgjigjur se asnjë telash nuk ka pasur asnjëherë me të, derisa Bukoshi ka marrë postin e ministrit të Shëndetësisë. “Prej ditës që është bërë ministër kemi pasur telashe, ma ka shantazhuar familjen”, tha Deshishku. E tëra, sipas tij, kishte filluar me kallëzimin penal që ish-ministri kishte ngritur kundër kompanisë “Jona Med”.
“Në kallëzimin që kishte ngritur Bujar Bukoshit thotë se ‘Jona Med’ është kriminale dhe ka shkuar deri aty sa në këtë kallëzim penal flet se edhe me kënd fle babai im”, tha gjatë dëshmisë së tij Deshishku. Ai shtoi se ish-ministri kompaninë e tij në media e kishte quajtur kriminale dhe si kompani që merrej me krim të organizuar. Lidhur me kontratën prej 3.8 milionëve që kjo kompani kishte me Ministrinë e Shëndetësisë,sipas Deshishkut, mosrealizimi kishte ndodhur për fajin e Ministrisë, sepse ata nuk kishin bërë një plan vjetor për furnizim.
Sipas dëshmitarit, brenda vitit ishte realizuar rreth 16 për qind e kontratës. Më pas kompania e tij, me vendim të Gjykatës Ekonomike, kishte marrë një dëmshpërblim 1.4 milionë euro. Por, “sherri” në mes kësaj ministrie dhe kompanisë së tij kishte nisur me emërimin e Ilir Tolajt si sekretar permanent në MSH. Fillimisht, kompanisë së Deshishkut nuk i ishte vazhduar kontrata në fjalë, e ishte përkeqësuar edhe me tutje pas këtij kallëzimi penal. Deshishku i rrëfeu Gjykatës se si nga Arbenita Pajaziti atij i ishte bërë një ofertë për një tender emergjent në vlerë 70 mijë euro me kusht që ai ta tërheqë padinë. Këtij takimi më pas i ishte bashkangjitur edhe Ilir Tolaj, i cili sipas dëshmitarit, ia kishte bërë me dije se kompania e tij nuk do të fitonte më tender nga kjo ministri. “Ilir Tolaj më tha ‘djalë i mirë janë tri sene, më parë Kosova ka me mbet nën Serbi se ti me marrë tender, sa të jem unë këtu, ti nuk merr tender, e sheh kush jam unë’”, citon Deshishku fjalët që Tolaj i kishte thënë atij.
Një ofertë tjetër i ishte bërë edhe nga një zyrtar tjetër i Ministrisë, Luan Sabedinaj. “Më thirri në telefon, kam dal, Luani më tha ‘a po do me ba pare’, i thash ‘për qato punojmë’, ai më tha ‘më ka çu Ilir Tolaj, tash është tenderi në janar në vlerë një milion euro’”, tregoi Deshishku i cili në këtë rast është në cilësinë e palës së dëmtuar. Por, sipas tij, Sabedinaj në emër të Tolajt, për fitimin e këtij tenderi i kishte kërkuar ryshfet, gjë që nuk kishte pranuar.
Ndryshe, Deshishku është dëshmitari i parë në procesin gjyqësor, që po mbahet në Kinemanë ABC. Bujar Bukoshi, Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti, Nexhat Shabani, Ismet Hyseni, Hajrullah Fejza, Zenel Kuçi, Bekim Fusha, Alban Thaçi, Basri Asllani dhe Imer Ajeti akuzohen për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave, keqpërdorim i autorizimeve ekonomike. Kurse Nexhat Shabani dhe Ilir Tolaj akuzohen edhe për lidhjen e kontratave të dëmshme, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, e kërkim ryshfeti – përpjekje për të marrë ryshfet, evazion fiskal dhe pengim i provave. Tolaj ishte arrestuar me pretendimin se nga qershori i 2006-ës e deri në qershor të 2011-ës bashkë me Bukoshin e Pajazitin kishin udhëhequr një fushatë kundër kompanisë farmaceutike “Jona Med”, duke bërë kështu të mos fitojë tenderë në Ministrinë e Shëndetësisë. Të gjithë të akuzuarit janë në liri përveç Ilir Tolajt, i cili nga paraburgimi është në arrest shtëpiak.





