Arrestohen gruaja dhe 2 vajzat e Hamdi Sopës
04 / 02 / 2013, 21:54
Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka arrestuar tre persona, të dyshuar për vrasjen e ish gazetarit dhe zyrtarit për informim në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Hamdi Sopa. Të arrestuara janë dy vajzat e të ndjerit dhe bashkëshortja e tij. Fillimisht për Hamdi Sopën besohej se ka bërë vetëvrasje duke u hedhur nga kati i 9-të i banesës ku ka jetuar bashkë me familjen, në Prishtinë.

“Gjatë ditës së sotme, në konsultim me Prokurorin janë arrestuar tri femra shqiptare. si të dyshuara për vrasjen e një zyrtari qeveritar, rast ky që ka ndodhur më 29 janar në rrugën Agim Ramadani në Prishtinë, e që fillimisht ishte raportuar si vdekje e dyshimtë’, ka deklaruar për Info Globin, Baki Kelani, Drejtor i Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.Sipas tij të dyshuarat janë dërguar në mbajtje.
Info Globi ka raportuar gjatës ditë se Prokuroria kishte pranuar raportin e autopsisë së viktimës, rezultatet e së cilës quan në përfundimin se Hamdi Sopa është vrarë e nuk është vetëvrarë.
Arrestimin e personave të dyshuar e ka urdhëruar prokurori Blerim Isufaj. Tri anëtaret e familjes Sopa janë dërguar për mbajtje, kurse banesa e tyre është bastisur.
Hamdi Sopa, gazetarë shumë vjeçarë dhe zyrtar për informim në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, ka vdekur më 29 janar të sivjetmë në lagjen Aktash të Prishtinës. Ka ditë që rënia e tij nga terraca e banesës është interpretuar si vetëvrasje, por pista e hetimeve po shpalon rrethana të reja në të cilat ka humbur jetë 59 vjeçari./infoglobi





